Basbousa, ëmbëlsirë e mrekullueshme egjiptiane me grizë

Basbousa është ëmbëlsirë tradicionale e Lindjes së Afërt. Gatuhet nga griza dhe kokosi dhe i qitet sherbet.

Përbërësit: 1 filxhan sheqer, 2 filxhan miell, 1 filxhan mielli kokosi, 1 filxhan vaj, 1 filxhan qumësht ose jogurt, 1 filxhan grizë, nga një qeskë pluhur për ëmbëlsira dhe sheqer vaniljeje, 3 vezë.

Për sherbetin: 2 filxhan sheqer, 1 filxhan ujë, 2 lugë lëng limoni ose portokalli. Filxhani është standard 250ml.

Përgatitja: Fillimisht në një enë kuzhine përzieni vezët me sheqer dhe shtoni përbërësit e tjerë. Përzieni mire masën deri sa të bëhet një masë homogjene dhe më pas shtojeni në tepsi të mbështjellë me letër për pjekje. Pasi ta keni vendosur në tepsi, piqeni në 200 gradë C për rreth 30 min.

Ndërkohë zieni sherbetin, në një enë kuzhine (tenxhere) shtoni sheqerin, ujin dhe përzieni derisa të fillojë të vlojë dhe pastaj shtoni lëngun e limonit dhe zieni edhe rreth 1-2 minuta.

Ëmbëlsirës së nxehtë shtojani sherbetin dhe lëreni që të ftohet mirë. Më pas priteni në katrorë, mbi katrorët e prerë mund të shtoni bademe të grira apo të plota ose arra. Ju bëftë mirë!