Darkë e shijshme me makarona dhe mish të bluar

Përbërësit: 500gr makarona, 1 qepë, 200gr mish i bluar, kripë, biber i zi, mëlmesa me hudhër, pak rigon, 500ml sos domatesh, gjalpë, 2 lugë miell, 500ml qumësht, kaçkavall, vaj për fërgim. Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine (tenxhere), shtojmë ujë për zierjen e makaronave dhe i hedhim një lugë kripë. E lëmë ujin deri sa të vlojë, pasi që vlon uji shtojmë 500gr makarona dhe i ziejmë për 10 minuta. Pasi të zihen makaronat ua largojmë ujin, më pas i hedhim në tepsi ose tavë dhe i shtrojmë mirë me lugë.

Më pas në një tigan hedhim vaj për fërgim, shtojmë një qepë të grimcuar, 200gr mish të bluar, kripë, hedhim biber të zi, mëlmesa me hudhër, pak rigon dhe në fund 500ml sos domatesh. E përziejmë mirë mishin me të gjithë këta përbërës dhe e lëmë që të vlojë bashkë me sosin e domateve dhe të kavërdiset për disa minuta.

Pasi mishi të jetë gati, ua hedhim sipër makaronave që i kemi hedhur më parë në tavë dhe i përziejmë mirë me lugë që të shpërndahet mishi mirë në të gjithë sipërfaqen e makaronave. Më pas marrim një enë tjetër kuzhine (tenxhere), shtojmë pak vaj për fërgim, pak gjalpë, 2 lugë gjelle miell dhe e përziejmë masën pak deri sa të treten përbërësit.

Më pas shtojmë 500ml qumësht, kripë, biber të zi dhe e lëmë të ziej për 1 minutë deri sa të fitojmë një krem pak të trashë. Më pas këtë masën e hedhim tek makaronat me mish të bluar, i përziejmë me lugë që tu shpërndahet kremi mirë dhe sipër makaronave hedhim kaçkavall. Në fund makaronat i fusim në furrë dhe i pjekim në temperaturë 200 gradë C për 35 minuta. Pasi të piqen i largojmë nga furra, më pas janë të gatshme për tu shërbyer. Këtë darkë të shpejtë dhe të shijshme mund ta shërbeni me perime dhe trushi. Ju bëfshin mirë!