Ëmbëlsirë e shijshme me arra dhe biskota

Përbërësit: 1 litër qumësht, 3 pudingë vanilje, 6 lugë gjelle sheqer, 1 lugë gjelle gjalpë (margarinë), 500gr biskota të bluara (çfarë do që keni dëshirë), 100gr çokollatë e shkrirë, 150gr arra të grimcuara, copëza banane ose ananas, 200ml hoplla, krem karamele.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine (tenxhere) shtojmë 1 litër qumësht, 3 pudingë vanilje, 6 lugë gjelle sheqer dhe e ziejmë pudingun deri sa të trashet në temperaturë mesatare që të mos na ngjitet. Pasi pudingu të zihet e largojmë nga zjarri dhe në të shtojmë 1 lugë gjelle gjalpë, e përziejmë me tel kuzhine sa është pudingu i nxehtë që të shkrihet gjalpi (margarina).

Më pas marrim 500gr biskota të bluara dhe i ndajmë në dy enë kuzhine, shtojmë tek secila enë me biskota nga masa e pudingut të zier ashtu siç e shikoni në video dhe i përziejmë biskotat mirë me pudingun deri sa të bashkohet masa. Pastaj marrim 100gr çokollatë kuzhine të cilën e kemi shkrirë paraprakisht në avull ose me pak qumësht në temperaturë mesatare.

Marrim edhe 150gr arra të grimcuara, në njërën enë me biskota dhe pudingë shtojmë çokollatën e shkrirë, ndërsa në enën tjetër shtojmë arrat e grimcuara dhe i përziejmë mirë me lugë të dyja masat. Pastaj marrim njërën masën me biskota, pudingë dhe çokollatë, e hedhim në tepsi në formë rrumbullake (që i largohet rrethi) ashtu siç e shikoni në video dhe e shtrijmë mirë me lugë masën, nëse keni vështirësi ta shtrini lageni lugën pak në ujë.

Më pas sipër masës që e kem shtrirë në tepsi shtrojmë një rend copëza ananas, në video kemi përdorur ananas por ju këshillojmë më mirë ta bëni me banane ose ndonjë frutë tjetër që nuk lëshon ujë pasi ananasi lëshon ujë edhe pse i jep një shije të mirë po edhe bananet i japin një shije fantastike.

Më pas sipër bananeve ose ananasit shtojmë dhe masën tjetër me biskota, pudingë dhe arra të grimcuara dhe e shtrijmë mirë me lugë ngadalë. Pastaj marrim 200ml hoplla e tundim me mikser deri sa të fitojmë një krem të trashë më pas e lyejmë ëmbëlsirën sipër me të.

Pasi e kemi lyer ëmbëlsirën sipër me krem hoplla e lëmë në frigorifer për 1 orë. Pasi të ketë qëndruar për 1 orë në frigorifer, e marrim dhe e dekorojmë sipër me krem karamele ashtu siç e shikoni në video. Bëhet një ëmbëlsirë shumë e shijshme dhe përgatitet shumë shpejtë. Ju bëftë mirë!