Ëmbëlsirë e shpejtë

Përbërësit:

300gr sheqer, 1L qumësht, 100gr margarinë, 60gr nisheste, 120gr miell, 4 lugë kakao, një lugë sheqer vanilje, 100gr kokos, 2 qeske krem pana (shllag, të përgatitur sipas udhëzimeve në qeske).

Përgatitja:

Në një enë të thellë qesim qumështin, sheqerin, margarinën, miellin, nishesten, kakaon dhe sheqerin e vaniljes. E rrisim temperaturën duke i përzierë vazhdimisht derisa kremi të trashet (sikurse pudinga). Në tabak qesim një shtresë kokos dhe sipër kokosit shpërndajmë ngadalë kremin e ngrohtë të njëtrajtshëm dhe e lëmë të ftohet.

Në ndërkohë përziejmë krem panën sipas udhëzimeve në qeske derisa të bëhet shkumë e fortë. Kremin e bardhë e qesim mbi shtresën kafe të ftohur tashmë dhe e rrafshojmë. Presim shiritat me gjerësi 3-4cm dhe i mbështjellim në formë roleje duke shkëputur rolenë sapo të bëhet një rrotullim i plotë.

Pastaj fillojmë prapë mbështjelljen dhe kështu radhisim në një tabaka tjetër derisa të ftohen mirë (kokosi në fund do të ndihmojë të shkëputet lehtë kremi kafe nga sipërfaqja dhe njëkohësisht i jep një shije shumë të mirë). Një ëmbëlsirë që përgatitet shpejtë nuk kërkon shumë përbërës dhe gjithashtu bëhet shumë e shijshme, duhet ta provoni dhe sidomos ta përgatitni për raste speciale pasi që ka një shije të mrekullueshme. Ju bëftë mirë!