Ëmbëlsirë me çokollatë dhe biskota të bluara

Përbërësit: 1kg biskota të bluara, 1 pako kokos, 1 pako kakao, 1 pako rrush i thatë, 1 pako mak, 1 çokollatë, 4 lugë të gjellës krem karamel, aromë rumi ose vanilje, lajthi të coptuara, 4 gota qumësht, sheqer.

Për fillin: 1 litër qumësht, 2 pudinga të çokollatës, 1 puding krem karamel, 1 çokollatë e zezë kuzhine, 3 lugë kakao.

Përgatitja: Në një enë kuzhine shtojmë fillimisht 1kg biskota të bluara, 1 pako kokos, 1 pako kakao, 1 pako rrush i thatë, 1 pako mak, 1 çokollatë e ndajmë në copëza të vogla, 4 lugë të gjellës krem karamel, aromë rumi ose vanilje (unë kam përdorur rum), lajthia të coptuara, 4 gota qumësht, sheqer sipas dëshirës.

Nëse ka nevoj i shtoni edhe pak qumësht që të zbutet masa por jo shumë, i përziejmë përbërësit mirë dhe masën e hedhim në tepsi (tepsinë e lyejmë me pak vaj dhe sheqer sepse e largojmë në fund pa e prishur formen) dhe e vendosim për ftohje.

Në ndërkohë përgatisim fillin, në një enë kuzhine (tenxhere) shtojmë 1 litër qumësht, 2 pudinga të çokollatës, 1 puding krem karamel, 1 çokollatë e zezë kuzhine, 3 lugë kakao.

Pasi të tretim pluhurin e pudingës me ujë të vakët i hedhim sheqer sipas dëshirës (për 1 puding duhet 3 lugë sheqer) unë kam hedhur 5 lugë. Pastaj e hedhim në qumësht të vluar dhe e ndalim temperaturën duke e përzier deri sa të trashet mirë dhe më pas hedhim 3 lugë kakao.

Shtojmë dhe çokollatë të zezë kuzhine dhe e përziejmë deri sa të shkrihet çokollata. Pastaj e hedhim sipër ëmbëlsirës dhe e lëmë prap që të ftohet. Dekorojmë me copëza çokollate dhe copëza sheqeri. Ju bëftë mirë nëse e provoni!