Ëmbëlsirë me krem dhe arra

Përbërësit për 1 petë: 4 të bardha vezësh, 4 lugë gjelle sheqer, 100gr arra të bluara, 1 lugë miell. Për kremin e parë: 5 të verdha vezësh, 4 lugë miell, 5 lugë sheqer, 500ml qumësht, 125gr gjalpë.

Për kremin e dytë: 7 të verdha vezësh, 7 lugë gjelle sheqer, 100gr çokollatë gatimi, 125gr gjalpë, plus 500ml pana ëmbëlsirash.

Përgatitja: Fillimisht të bardhët e vezëve përzieni me mikser duke shtuar gradualisht edhe sheqerin derisa të fitoni një shkumë të fortë. Në fund shtoni edhe arrat, miellin dhe trazojini mirë të gjitha më lugë druri për të fituar një masë homogjene. Brumin e fituar zbrazeni në tepsinë e mbuluar me letër pjekje dhe piqeni në furrën e parangrohur në 180 gradë për afro 15 minuta.

Kështu veproni 3 herë (për 3 petë), më pas përgatiteni kremin e parë duke trazuar bashkë të verdhat e vezëve, sheqerin dhe miellin. Më pas shtojani edhe pak qumësht të ftohtë nga 500ml e pjesën tjetër lëreni të vlojë. Masën e fituar zbrazeni tek qumështi i vluar dhe përziejeni mirë derisa të trashet.

Më pas largojeni nga zjarri dhe mbulojeni me folie alumini në mënyrë që të mos zërë kore derisa të ftohet. Kremin e dytë bëjeni duke miksuar të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të fitoni një masë të bardhë e më pas këtë vendoseni mbi një tavë që ka dy gisht ujë duke vluar (banjomari). Kremin ziejeni për 10 minuta e më pas shtojani edhe çokollatën. Përzijeni mirë të gjitha derisa të shkrihet çokollata.

Më pas kremin lëreni të ftohet, pasi të jenë ftohur të dy kremërat miksojini të dy gjalpët derisa të shkumojnë mirë e më pas këtë masë hidheni tek kremërat e përgatitur. Në fund miksojeni edhe pananë për ëmbëlsira dhe 2-3 lugë gjelle nga ajo shtoni tek kremërat përkatës.

Pastaj në petën e parë shtrijeni kremin e parë e sipër tij një shtresë të hollë me panan e rrahur. Më pas shtroni edhe petën e dytë e sipër saj kremin e dytë. Sipër kremit sërish shtroni një shtresë nga pana e rrahur, ndërsa në fund hidhni edhe petën e tretë dhe zbukurojeni sipas dëshirës.

Para servimit, torta duhet të pushojë mirë. Ju bëftë mirë.