Ëmbëlsirë me molla dhe biskota

Përbërësit: 5 molla, 700ml ujë, 250gr sheqer, kanellë, 300ml qumësht, 2 pudingë vanilje, 400gr biskota,  kokos.

Përgatitja: Fillimisht i marrim mollat i pastrojmë, më pas ua largojmë lëvoren dhe i grijmë në copëza të vogla. Më pas marrim një enë kuzhine (tenxhere), shtojmë mollët dhe 700ml ujë, 250gr sheqer, pak kanellë i përzjemë dhe i lëmë mollët të zihen për 10 minuta.

Në një enë tjetër kuzhine shtojmë 300ml qumësht, 2 pudingë vanilje dhe i përziejmë deri sa të treten. Më pas me anë të një luge kuzhine për pure, i shtypim mollët mirë dhe i bëjmë pure pastaj qumështin me pudingë vanilje e shtojmë tek mollët dhe i ziejmë edhe për 2 minuta deri sa të bëhet një krem i trashë nga mollët.

Pasi kremi me molla të jetë gati, e largojmë nga zjarri dhe e lëmë me një anë. Më pas marrim një tepsi për ëmbëlsira dhe 400gr biskota, fillimisht shtojmë një rend biskota në tepsi më pas sipër biskotave hedhim nga kremi i përgatitur me molla. Sipër kremit pastaj hedhim me dorë pak kokos dhe më pas e vendosim edhe një rend biskota sipër.

Sipër biskotave hedhim përsëri nga masa e kremit me molla, pastaj shtojmë prapë edhe pak kokos ashtu si e shikoni në video. Më pas shtojmë dhe një rend biskota sipër dhe të gjithë masën e mbetur të kremit me molla ia hedhim ëmbëlsirës sipër dhe e dekorojmë përsëri me kokos.

Pasi ëmbëlsira të jetë gati, e vendosim në frigorifer të qëndrojë për 2 orë dhe pasi të ketë qëndruar në frigorifer e largojmë më pas e presim në formën që dëshirojmë dhe e shërbejmë. Ju bëftë mirë!