Ëmbëlsirë pa pjekje me lajthi, çokollatë dhe biskota

Përbërësit: 1 litër qumësht, 2 puding vanilje, 250gr sheqer, 3 sheqer vanilje, 1 çokollatë për zierje, 200gr lajthi të bluara, 200gr kokos, 200gr biskota të bluara, 1 pako biskota (të pa bluara, çfarë do që dëshironi), 1 shllag krem për lyerje, 250gr margarinë.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine dhe hedhim 2 puding vanilje duke i tretur me pak qumësht nga 1 litër që e kemi, më pas tek qumështi i mbetur hedhim 250gr sheqer dhe vendoseni në zjarr që të vlojë. Pastaj tek qumështin që vlon shtoni pudingun e vaniljes të tretur më parë dhe zieni duke e përzier vazhdimisht në temperaturë mesatare deri sa të bëhet një krem i trashë.

Pasi pudingu të zihet largojeni nga zjarri dhe në të shtoni 3 sheqer vanilje, 250gr margarinë (të mbajtur në temperaturë dhome) dhe përzieni mirë me pudingun deri sa të shkrihen sheqer vaniljet dhe margarina. Më pas masën e fillit ndajeni në enë në tre pjesë të barabarta.

Tek pjesa e parë e fillit shtoni çokollatën për zierje (çokollatë të shkrirë) dhe 200gr lajthi të bluara, më pas tek masa e dytë e fillit shtoni 200gr kokos dhe përzieni masën mirë deri sa të bashkohet kokosi me pudingun.

Ndërkaq tek pjesa e tretë e fillit shtoni 200gr biskota të bluara dhe përzieni mirë së bashku me pudingun. Pasi tre pjesët e fillit të jenë gati, merreni një tepsi ku dëshironi të vendosni ëmbëlsirën dhe renditni një radhë biskota, pastaj sipër biskotave shtoni fillin me çokollatë dhe lajthi.

Më pas përsëri shtoni një radhë biskota dhe sipër biskotave shtoni fillin me biskota të bluara, më pas përsëri shtoni një rend biskota dhe sipër biskotave shtoni fillin me kokos.

Në fund shtoni përsëri një rend biskota dhe sipër ëmbëlsirën lyeni me krem shllag sipas udhëzimeve në qese, bëhet një ëmbëlsirë shumë e shijshme dhe përgatitet shpejtë. Ju bëftë mirë!