Ja si ta kuptoni nëse keni gingivit në mishrat e dhëmbëve

Gingiviti është inflamacioni i mishit rreth dhëmbit, dhe një nga problematikat që haset shpesh në stomatologji.

Për shumë njerëz ky është një problem që shkakton shumë lodhje dhe stres, sado që mundohemi ti pastrojmë dhëmbët mishrat tanë përsëri nuk duken në gjendje të mirë.

Si ta kuptojmë se kemi Gingiv?

Gingiva paraqitet e skuqur dhe e fryrë, Gingiva jep dhimbje kur preket, Gingiva jep hemorragji kur ngacmohet.

Gingiviti paraqitet në dy forma:

I lokalizuar (rreth një dhëmbi ose një grup dhëmbësh), I gjeneralizuar (prek gingivën e gjithë dhëmbëve).

Cilët janë shkaktarët kryesor të Gingivitit?

Faktori kryesor i shfaqjes së gingivitit është pllaka bakteriale. Pllaka bakteriale nënkupton një shtresë bakteresh e cila ngjitet në sipërfaqen e dhëmbit në mungesë të higjienës. Me pak fjalë, pacientët që nuk kanë higjienë të mirë të gojës janë mjaft të predispozuar të shfaqin gingivit.

Faktor tjetër është trauma e gingivës nga ushqimet e forta, përdorimi i kunjit të dhëmbëve, furçimi traumatik, përdorimi i furçave me qime shumë të forta, etj.

Faktori jatrogjen (i shkaktuar nga mjeku). Më saktë kjo do të thotë mos kryerja korrekte e mbushjeve në realizimin e pikës së kontaktit ose mosrealizimi korrekt i punimeve protetike fikse (këllëfë dhe ura me kufij jo të saktë).

Gjendje të veçanta fiziologjike si puberteti dhe shtatzënia. Adoleshentët dhe gratë shtatzëna janë të predispozuar të japin gingivit si pasojë e ndikimit hormonal dhe neglizhencës në kujdesin për higjienën e gojës.

Medikamentet

Grupe të veçanta medikamentesh mund të shkaktojnë gingivit (si p.sh ciklosporina, nifedipina, amlodipina etj).

Gjithashtu dhe faktori alergjik, punime të caktuara protetike mund të japin gingivit si pasojë e reaksioneve alergjike, si për shembull metali në punime metal-porcelan.

Si ta mjekojmë?

Mbajtja në kontroll e higjienës së gojës, mjaft thelbësore në trajtimin e gingivitit është edukimi dhe ndërgjegjësimi i pacientit për rëndësinë e higjienës së gojës. Këshillohet furcimi i dhëmbëve të paktën 2 herë në ditë.

Është e rëndësishme të zgjidhet një furçë me qime të buta dhe të përdoret në të gjithë sipërfaqen e dhëmbëve me lëvizjet gjysmë rrotulluese. Gjithashtu, vlen të theksohet që është e rëndësishme të zgjidhet një pastë e mirë e pasur me fluoride dhe të aplikohet filli dentar të paktën një herë në ditë në darkë mbas larjes. Përdorimi i solucionit anti-septik pa alkool është gjithashtu i këshillueshëm në rastin e gingivitit.

Pastrimi i rregullt, periodik (çdo 6 muaj) i gurëzave dhe mjekimi i mishrave të dhëmbëve.

Dekontaminimi i gingivave me lazer (bëhet nëpërmjet lazerit dentar).

Antibiotiko-terapia. Lloji i antibiotikut, dozimi dhe kohëzgjatja përshkruhet nga mjeku në recetë.

Kyretazhi i gingivave, bëhet në rastin e gingivitit ulcero-nekrotik. Kjo është faza më e rëndë e gvingivitit, ku gingiva paraqitet me ulçeracione dhe është njëkohësisht e nekrotizuar. Kyretazhi nënkupton heqjen e pjesëve të vdekura të gingivës për t’i dhënë mundësi asaj të rigjenerohet.

Në rastin e gingivitit jatrogjen, duhen korrigjuar mbushjet jo të sakta dhe duhet bërë zëvendësimi i punimeve protetike jo korrekte. Gjithashtu materialet alergjike duhet të zëvendësohen me ato hipoalergjike. /pergatit.com