Kek me kakao dhe puding në mes

Përbërësit për kekun: 4 vezë, 1 gotë të ujit sheqer, 1 gotë të ujit qumësht, gjysmë gote të ujit vaj, 1 pluhur për pjekje (pecivë), 1 sheqer vanilje, 2 lugë gjelle kakao, 2 gota të ujit miell.

Për kremin në mes: 3 gota të ujit qumësht, 1 vezë, 4 lugë gjelle niseshte, gjysmë gote të ujit sheqer, 1 sheqer vanilje, 1 lugë gjelle margarinë (gjalpë).

Përgatitja: Fillimisht përgatisim kremin, në një enë kuzhine shtojmë 3 gota qumësht, një vezë, 4 lugë gjelle niseshte, gjysmë gote të ujit sheqer dhe e ziejmë në temperaturë mesatare derisa të fitojmë një krem të trash. Më pas tek kremi shtojmë një sheqer vanilje, një lugë gjelle gjalpë ose margarinë.

E përziejmë mirë kremin që të tretet mirë margarina dhe sheqer vanilja dhe më pas e lëmë me një anë që të ftohet. Pastaj përgatisim brumin për kek, në një enë kuzhine shtojmë 4 vezë, një gotë të ujit sheqer dhe i përziejmë mirë me mikser.

Më pas tek masa shtojmë gjysmë gote të ujit vaj, një gotë të ujit qumësht, 2 lugë gjelle kakao dhe e përziejmë për pak masën me tel kuzhine. Pastaj shtojmë 2 gota të ujit miell, një sheqer vanilje, një pako pluhur për pjekje (pecivë).

E përziejmë masën përsëri me mikser dhe pasi të jetë gati e vendosim në tepsi për kek me letër kuzhine, më pas ia hedhim në mes pudingun e ftoftë ashtu siç e shikoni në video dhe e pjekim në temperaturë 180 gradë për 40 minuta. Pasi të piqet keku e lëmë për 3 orë në frigorifer për ftohje më pas e shërbejmë. Ju bëftë mirë!