kulaçe

Kulaçe të buta me salcë sipër

Kulaçe shumë të buta dhe të shijshme, salca me sos domatesh ju jep një shije fantastike. Ideale kur keni mysafirë special.

Përbërësit për brumin:

  • 1 gotë qumësht të ngrohtë (200ml)
  • 1 gotë me ujë të ngrohtë (200ml)
  • gjysmë pako maja buke të freskët ose 1 lugë maja të thatë
  • gjysmë gote të ujit vaj
  • 1 lugë çaji kripë
  • 1 lugë çaji sheqer
  • 5 gota miell

Për salcën sipër:

  • 1 qepë
  • 1 lugë gjelle sos domatesh
  • gjysmë gote të çajit vaj ulliri
  • 1 lugë çaji kripë
  • 2 lugë susam
  • piper të zi

Përgatitja:

Në një enë kuzhine shtojmë qumështin e ngrohtë, ujin e ngrohtë, majën e bukës, sheqerin dhe i përziejmë mirë me lugë ose tel kuzhine. Më pas tek kjo masë shtojmë vajin, kripën, e përziejmë përsëri masën mirë dhe pastaj shtojmë miellin gradualisht aq sa të marr, 4 deri në 5 gota miell.

Brumin e përziejmë mirë me lugë dhe e ngjeshim mirë me duar derisa të bëhet një brumë që nuk ngjitet, e lëmë në enën ku e kemi ngjeshur dhe e mbulojmë sipër me qese kuzhine, duke e lënë ashtu për 45 minuta në një ambient të ngrohtë derisa brumi të dyfishohet.

Derisa brumi të dyfishohet përgatisim salcën, marrim një tigan të vogël dhe në të shtojmë qepën e grirë imët, vajin e ullirit dhe i fërgojmë në temperaturë mesatare derisa të zbutet qepa. Më pas në tigan shtojmë një lugë gjelle sos domatesh, susamin, kripën, piperin e zi (pak sa për shije) dhe i fërgojmë edhe për pak minuta.

Nëse dëshironi mund ta përdorni salcën edhe pa e fërguar por unë e preferoj kështu pasi që salca ka shije më të mirë kur është e fërguar. Pasi brumi të dyfishohet e marrim dhe e vendosim në tavolinë të përmiellur, e ngjeshim pak me duar dhe më pas ndajmë nga brumi 12 kulaçe në madhësi mesatare.

I vendosim kulaçet në tepsi me letër kuzhine, i mbulojmë sipër dhe i lëmë të qëndrojnë ashtu edhe për 15 minuta. Pasi të kenë pushuar kulaçet ju vendosim sipër salcën e përgatitur më parë me ndihmë e një luge, duke hedhur salcë në secilën kulaçe dhe më pas i fusim në furrën e ngrohur më parë dhe i pjekim në 180 gradë C derisa pjesa e poshtme dhe anësoret të marrin ngjyrë të artë.

Ju bëfshin mirë!