Llokum me arra

Përbërësit:

1kg sheqer,  ½ litër uji, lëngu i një limoni, 2gr krem tartar (pluhur rrushi), 100gr niseshte,
200gr arra fistiqe si të dëshironi, vaj lajthie, një gotë uji me sheqer pluhur, një gotë çaj me niseshte, 50gr kokos.

Përgatitja:

Në një tenxhere hedhim 1kg sheqer dhe gjysëm litër ujë, ku e lëmë të zihet në një zjarr të avashtë. Pasi të fillojë të zihet i hedhim lëngun e limonit, më pas gjatë kohës që zihet i heqim shkumën që nxjerr.

E lëmë deri sa të trashet lëngu në zjarr gjithmonë të avashtë. Niseshten e tretim në një gjysëm gotë çaji me ujë dhe ia hedhim avash avash duke e trazuar në tenxheren që po zien. I hedhim kremin tartar dhe vazhdojmë e përziejmë derisa të bëhet një masë e trashë pelteje.

Hedhim fistiqet e prera në dysh dhe e përziejmë përsëri, marrim një tepsi ku më parë e lyejmë me vaj lajthie dhe mbi këtë hedhim masën e llokumit të përgatitur. E lëmë deri sa të ftohet mirë, pasi është ftohur i hedhim sipër niseshten, arrën e kokosit dhe sheqerin pudër.

Marrim dhe e kthejmë përmbys në tavolinë ose në një tepsi tjetër dhe fillojmë e spërkasim përsëri me niseshte, sheqerin pluhur dhe arrën e kokosit. E lyejmë thikën me vajin e lajthisë dhe fillojmë të presim llokumet. Ju bëfshin mirë !