LLokume të shpejta me tre përbërës

Përbërësit: 200ml kos, 1 vezë, 1 lugë e mesme kripë, 400gr miell, 2 lugë të vogla pluhur për pjekje (pecivë).

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine, shtojmë 200ml kos, 1 vezë, 1 lugë të mesme kripë dhe i përziejmë mirë me lugë. Më pas marrim 400gr miell dhe në të shtojmë 2 lugë të vogla pluhur për pjekje, e përziejmë pak miellin me pluhurin për pjekje që të bashkohen.

Më pas masës me kos dhe vezë ia shtojmë miellin ngadalë, duke e përzier mirë me lugë deri sa të mos ngjis dhe të formojmë një brumë të butë. Pasi brumi të jetë gati, e hedhim në tavolinë të përmiellur dhe e hollojmë me holluese deri sa të formojmë një petë mesatare.

Pastaj petën e presim në katrorë me anë të një thike, duke formuar kështu llokume. Në një tigan shtojmë vajin, më pas llokumet i vendosim në vaj për fërgim një nga një dhe i pjekim deri sa të fitojnë një ngjyrë të artë në temperaturë mesatare për 2 minuta. Ju bëfshin mirë!