Petë të pjekura me mish pule, ushqimi që do t’ju kënaqë

Drekë e shijshme të cilën të gjithë do ta adhurojnë. Gatuhet thjesht dhe shpejtë, ju nevojiten vetëm disa përbërës.

Përbërësit: 300gr petë, 2 vezë, 200gr ajkë, 300gr mish të bardhë pule, 100ml qumësht, 100gr kaçkavall, vaj, erëza të thata, kripë, 100ml domate të ziera.

Përgatitja: Fillimisht mishin e pulës priteni në bërxolla të holla dhe më pas shtypeni, hidhni pak kripë dhe shtoni erëzat. Pastaj në tigan hidhni pak vaj dhe fërgoni pak bërxollat e mishit të pulës nga të dyja anët. Në ndërkohë petët zhytni në 1 litër ujë në të cilin keni shtuar domaten e zier dhe pak erëza.

Petët njomëni shumë pak rreth gjysmë minuti dhe menjëherë nxirrni sapo të zbuten, pastaj thyeni vezët dhe tundni mirë me tel kuzhine. Më pas tek vezët shtoni ajkën dhe pak qumësht që të gjitha përzieni mirë me tel kuzhine deri sa të bëhet një masë homogjene.

Enën për pjekje (tepsin) bëjeni me pak vaj, më pas hidhni një rend peta në tepsi pastaj bërxollat e pulës dhe sipër pak ajkë. Pastaj sërish petët dhe bërxollat njëra mbi tjetrën, në fund grijeni kaçkavallin në rende dhe hidheni sipër bërxollave. Pasi të jetë gati, e fusim në furrë për pjekje dhe e pjekim në temperaturë 200 gradë C për 30 minuta derisa të skuqen mirë.

Pasi të piqet e largojmë nga furra dhe lëmë për pak që të ftohet, më pas shërbejeni me sallatë të sezonit. Bëhet shumë e shijshme dhe përgatitet për pak minuta, duhet ta provoni. Ju bëftë mirë!