Pite e shijshme me spinaq

Përbërësit:

Për një pite të pjekur në furrë elektrike (për 6 persona).

Brumi:

1kg miell, 500ml ujë (dy gota e gjysmë), 200gr yndyrë (tlyn ose vaj, ose të përziera), një lugë (gjelleje) kripë.

Mbushja:

1kg spinaq, 100gr djath, 5 lugë (gjelleje) kos, një vezë, 2 deri 4 qepë të reja, një lugë (gjelleje) kripë.

Përgatitja:

Ujit me kripë ua shtojmë miellin (së pari afër 600gr  pastaj duke i shtuar nga pak derisa të fitojmë brum homogjen, mesatarisht i fortë). Brumin e formuar e ngjeshim dhe e ndajmë në afër 18 copëza me madhësi të vezës, i ngjeshim një nga një kuleçët dhe i lëmë të mbuluar me picetë kuzhine 10 deri 20 minuta.

Pastaj duke i përmillur i hapim kuleçtë me holluese, petët i rreshtojmë një mbi një duke i lyer me nga një lug yndyrë më pas i ndajmë në dy katmerë me nga nëntë petë. Njërin katmer e shtrijmë mbi tepsinë e lyer me pak yndyrë, ia shtojmë mbushjen (përzierjen e spinaqit të grirë dhe kryposur, djathin, vezën, kosin dhe si pas dëshirës qepët).

Katmerin tjetër e qesim sipër spanaqit dhe e formojmë rrethin e pites duke i bashkuar skajët e dy katmerëve, pastaj ia shtojmë yndyrën e mbetur dhe piten e përfunduar e fusim në furrë të nxehtë. Pitja pjeket për 40 deri 50 min në temperaturë prej 250 gradë C dhe serviret me kos. Ju bëftë mirë !