pulë

Pulë me kos dhe hudhër – receta plot shëndet

Aroma e mrekullueshme e kësaj recete të vjetër me pulë, traditë e nënave dhe gjysheve shqiptare mbush gjithë shtëpinë me dëshirën për ta konsumuar menjëherë sapo ajo shërbehet në tryezë.

E lehtë dhe plot shije, kjo pjatë tipike e kuzhinës tradicionale me pulë është ideale për gjallërimin e organizmit dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës.

Ju sugjerojmë më poshtë recetën e shijshme të përgatitjes së supës me mish pule dhe kos e hudhra në shtëpi.

Përgatitja e Supës me Mish Pule dhe Kos

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 4-5 thela mish pule
  • 2 lugë gjelle miell gruri
  • Një filxhan çaji me kos
  • 1 kokërr vezë
  • Vaj ulliri
  • Pak gjalpë i freskët
  • Piper
  • Kripë
  • Majdanoz
  • 1-2 thelpinj hudhra të shtypura

Përgatitja

Si fillim, ju udhëzojmë të pastroni me ujë të rrjedhshëm thelat e pulës dhe më pas vendosini në një tenxhere ku keni hedhur pak vaj ulliri dhe pak gjalpë të freskët.

Kaurdisini për 1-2 minuta nga të dyja anët, shtoni kripë dhe mbulojini mirë me ujë. Lërini të ziejnë derisa mishi i pulës të jetë zbutur.

Ndërkohë, në një tas më vete rrihni vezën, më pas shtoni kosin dhe përziejeni mirë masën derisa ajo të bëhet homogjene.

Në vijim, vendosni një tigan në zjarr. Shtoni pak gjalpë dhe pak vaj ulliri dhe kaurdisni miellin derisa të marrë ngjyrë të artë.

Në këtë moment hiqeni nga zjarri dhe nisni të hidhni nga pak masën e kosit dhe vezës duke e përzjerë masën në mënyrë të pandërprerë derisa e gjithë masa të bëhet e njëtrajtshme dhe të mos ketë kokërriza.

Pasi mishi i pulës të ketë zierë, i largojmë thelat nga tenxherja dhe i lëmë mënjanë. Ju udhëzojmë të shtoni masën e kosit me vezë dhe miell tek lëngu i pulës dhe përzjeheni mirë derisa masa të njëtrajtësohet me lëngun.

Vendoseni tenxheren në zjarr të ulët. Shtoni thelat e mishit të pulës dhe lëreni të zjejë për 5 minuta duke e përzierë herë pas here.

Në fund i hidhet piper, majdanoz, 1-2 thelpinj hudhra të shtypura sipas dëshirës. Kur shërbehet i hidhet sipër sipas preferencës pak lëng limoni disa pika gjalpë të freskët të shkrirë. /AgroWeb.org