ravani

Ravani, receta e vjetër e gjyshes

Ravani, kjo ëmbëlsirë kaq e shijshme ka mbetur nga kuzhina osmane. Në disa zona të Turqisë quhet edhe “ëmbëlsira sfungjer” dhe është përgatitur nga gratë shqiptare që nga ajo kohë.

Përbërësit për ravani:

  • 6 vezë
  • 12 lugë sheqer
  • 12 lugë niseshte (miell misri)
  • 1 pluhur për pjekje
  • Pak kripë

Përgatitja:

Në një enë kuzhine shtojmë 6 vezë, 12 lugë sheqer dhe e përziejmë këtë masë për 20 minuta me mikser. Duhet ta shikoni orën që ta përzieni fiks për 20 minuta, pasi ravania e kërkon të përzihet shumë. Pasi e kemi përzier mirë, tek kjo masë shtojmë 12 lugë niseshte.

Fillimisht shtojmë 5 lugë niseshte, e përziejmë masën me mikser dhe më pas shtojmë edhe lugët e tjera. Tek masa pastaj shtojmë një pluhur për pjekje, e përziejmë me mikser për 2 minuta dhe krejt në fund shtojmë pak kripë me maje të gishtave dhe e përziejmë përsëri edhe për 2 minuta me mikser.

Pasi brumi të jetë gati, marrim tepsin e lyejmë mirë me gjalpë në të gjitha anët dhe më pas brumin e hedhim në tepsi. Kujdes tepsia nuk duhet të jetë e thellë, por e rrafshët dhe rrethinë e hollë (mundësisht të jetë e cingut).

Furrën e ngrohim paraprakisht që të nxehet mirë në 250 gradë C dhe kur ta arrijë temperaturën maksimale, ravanin e fusni në furrë dhe e zbritni temperaturën në 160 gradë C. E piqni për 30 minuta, kurse pas 30 minutave hapeni derën e furrës dhe testojeni se a është pjekur mjaftueshëm me një kunj, ravania piqet derisa të fitoj ngjyrë të artë.

Këshillë: Gjyshet tona kur e kanë përgatitur më parë, i kanë shtuar ravanis pak kripë me maje të gishtave që ravania të bëhet e mirë dhe mos ta kap mësyshi. Gjithashtu thuhet se ato nuk e kanë lënë askënd t’i afrohet, derisa e kanë përgatitur gjithë ravanin. Ju bëftë mirë! /Pergatit.com