role

Role me luleshtrydhe, e lehtë për tu përgatitur

Role shumë e lehtë për tu përgatitur kur keni mysafirë special, luleshtrydhet dhe kremi i japin një shije fantastike.

Përbërësit:

  • 4 të bardha të vezës
  • ½ (lugë e çajit) lëvore limoni
  • 4 të verdha të vezës
  • 100gr sheqer
  • 100gr miell (plus 2 lugë gjelle miell)
  • 4gr baking powder (pluhur për pjekje)
  • sheqer pluhur

Për kremin:

  • 250ml krem pana
  • 100gr sheqer pluhur
  • 150gr mascarpone
  • 100gr dredhëza

Përgatitja:

Në një enë kuzhine shtojmë 4 të bardhat e vezës, ½ lugë e çajit lëvore limoni dhe i përziejmë mirë me mikser derisa të fitojmë një shkumë të fortë. Më pas në një enë tjetër kuzhine shtojmë 4 të verdhat e vezës, 100gr sheqer dhe i përziejmë mirë me mikser derisa të fitojmë një masë homogjene.

Tek të verdhat e vezës që tashmë i kemi përzier shtojmë fillimisht 100gr miell duke e përzier masën, pastaj edhe dy lugë të tjera (2 lugë gjelle miell), 4gram baking powder ose pluhur për pjekje. E përziejmë këtë masë me mikser dhe më pas i shtojmë edhe kremin qe e kemi fituar nga të bardhat e vezëve, duke e përzierë përsëri për pak minuta me mikser.

Masën e brumit e shtojmë në tepsi katrore me letër kuzhine dhe e fusim në furrë për pjekje në 180 gradë C për 10-12 minuta. Pasi të piqet e spërkasim sipër me sheqer pluhur, më pas e rrotullojmë petën nga ana tjetër duke i vendosur sipër një leckë kuzhine.

Pastaj ja largojmë letrën dhe e spërkasim përsëri me sheqer pluhur dhe më pas e mbështjellim me ndihmën e leckës së kuzhinës duke i dhënë formën e roles.Pasi e kemi mbështjellë e lëmë që të ftohet për pak minuta, ndërkohë përgatisim kremi.

Në një enë kuzhine shtojmë 250ml krem pana, 100gr sheqer pluhur dhe e përziejmë masën me mikser, më pas tek masa shtojmë 150gr mascarpone dhe e përziejmë përsëri masën por me lugë. Marrim 100gr dredhëza të copëtuar dhe i shtojmë tek kremi tashmë i përgatitur dhe i përziejmë mirë dredhëzat me kremin.

Marrim petën dhe e shtrijmë, e lyejmë me kremin e përgatitur dhe pasi e kemi lyer i japim përsëri formë e rolës si më parë dhe pastaj e lëmë të qëndrojë ashtu për 1 ose 2 orë. Pasi e kemi lënë që të qëndrojë për 1 ose 2 orë e spërkasim sipër me sheqer pluhur dhe e dekorojmë me dredhëza.

Ju bëftë mirë!