Shkenca: Hirra më e mira për mëlçi

Hirra është lëngu që mbetet nga procesi i zënies së djathit. Ajo përdoret shumë për shkak të vlerave të larta ushqyese dhe për shkak se rregullon tretjen.

Lëngu që gjyshet tona e përdornin dikur, sot është pak i njohur. Në tregje vështirë se gjendet, por nëse diku afër jush shitet djathi apo jeni në kontakt me dikë që shet djathë, gjithsesi se do ta gjeni.

Sipas shkencëtarëve, hirra përmban 16 lloje të proteinave, tetë minerale, shtatë vitamina, 23 aminoacide, 11 enzima he shumë elemente të tjera të shëndetshme.

Hirra nxit punën e veshkave, mëlçisë dhe lukthit, përshpejton pastrimin e organizmit dhe largon helmet e grumbulluara. Nëse e konsumoni në mënyrë të rregullt, ndihmon në aktivizimin e shumë funksioneve të trupit, dhe gjithashtu në shkrirjen e dhjamit shtesë.

Ky nënprodukt i qumështit përmban proteina, laktozë, minerale (kalcium, fosfor, magnez, zink), vitamina (B2, B6, B12, C, K), aminoacide dhe yndyrna të shëndetshme.

Mineralet mbrojnë qelizat dhe parandalojnë një sërë sëmundjesh, si tensionin e lartë të gjakut, goditjen në tru dhe sulmin në zemër.

Proteinat parandalojnë osteoporozën, rregullojnë nivelet e kolesterolit, parandalojnë formimin e pllakës bakteriale në dhëmbë, rrisin masën muskulore, forcojnë sistemin imunitar, lehtësojnë stresin dhe rigjenerojnë mëlçinë.

Mëlçia është organi i vetëm në trup që ka fuqinë e rigjenerimit. Ky organ kryen një sërë funksionesh të rëndësishme në trup, për ta mbajtur atë të shëndetshëm.

Studime të ndryshme kanë treguar se përbërësit e nxjerrë nga hirra, sidomos proteinat e hirrës, kanë veti antimikrobiale dhe antivirale, forcojnë sistemin imunitar, mund të mbrojnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe rrisin performancën e aktivitetit fizik.

Hirra rekomandohet gjithashtu për rënien në peshë duke qenë se proteinat e saj ndihmojnë për t’u dobësuar dhe rritur masën muskulore.

Përveç kësaj, ajo ju jep ndjesinë e ngopjes duke ndikuar tek nivelet e hormoneve që ulin oreksin. Dikur hirra ka qenë pija e preferuar nëpër bujtina apo kafene. Mesatarisht prej 10 litra qumësht fitohet një kilogram djathë dhe nëntë litra hirrë.

Mund të thuhet me siguri që hirra është po aq e shëndetshme dhe e këshillueshme për t’u konsumuar sa dhe qumështi, kosi apo dhalli.

Mund ta pini tri herë në ditë ose së paku një herë në ditë. Studiuesi Dr. Drasek dhe Dr. Menkiv, kanë zbuluar se si banorët e Kaukazit nuk e dinë se çfarë është kanceri, tuberkulozi apo problemet me zorrë, për shkak se e pinë shumë hirrën.