Tatli shumë e shijshme me grizë gruri

Përbërësit: 1 vezë, 150gr sheqer, 250gr gjalpë i shkrirë (margarinë), 100gr grizë gruri, 10gr pluhur për pjekje (pecivë), 500gr miell.

Për sherbetin: 400gr sheqer, 500ml ujë, 1 sheqer vanilje, lëng limoni.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine dhe shtojmë 1 vezë, më pas tek veza shtojmë 150gr sheqer dhe i përziejmë mirë vezën me sheqerin me tel kuzhine deri sa të treten. Pastaj tek masa me vezë dhe sheqer shtojmë 250gr gjalpë të shkrirë ngadalë duke e përzier masën me tel kuzhine vazhdimisht.

Pasi e kemi përzier masën mirë me tel kuzhine, shtojmë tek masa 100gr grizë gruri, 10gr pluhur për pjekje dhe më pas shtojmë 500gr miell duke e situr në sitë. Pasi i kemi hedhur të gjithë këta përbërës e përziejmë masën me tel kuzhine, miellin e hedhim ngadalë deri sa të formojmë një brumë të butë fillimisht me lugë më pas e ngjeshim me duar.

Pasi brumi të jetë gati e marrim një tepsi për ëmbëlsira e lyejmë me vaj, më pas nga brumi formojmë kulaçe me duar ashtu si në video duke ua bërë disa vija sipër me anë të gotës së çajit (sipas dëshirës mund ti bëni në formë rrumbullake ose kështu të gjata si në video). Kështu veprojmë me të gjithë brumin duke i vendosur një nga një tatlit në tepsi.

Më pas tatlit i fusim në furrë për pjekje në 220 gradë C për 25 minuta. Në ndërkohë përgatisim sherbetin, marrim një enë kuzhine (tenxere) shtojmë 400gr sheqer, 500ml ujë, 1 sheqer vanilje, lëngun e një gjysmë limoni e vendosim në zjarr dhe e ziejmë sherbetin për 10 minuta.

Pasi e kemi larguar tatlin nga furra dhe sherbeti të jetë gati, ëmbëlsirës së ngrohtë ia hedhim sipër sherbetin e nxehtë. Ju bëftë mirë!