Tortë e lehtë me hurma dhe arra

Kjo është një tjetër recetë e lehtë këtu në pergatit.com, të cilën besojmë se nuk e keni përgatitur më parë – pasi është me hurma.

Duke e ditur se hurmat tashmë çdo ditë ndodhen në tryezën tuaj, për shkak të Ramazanit, ne e ndërtuam këtë recetë për ju – andaj shpresojmë se do të ndaheni të kënaqur.

Këta janë përbërësit që ju duhen për këtë recetë: 10 vezë, 250gr. hurma, 250 gr. arra, 4 lugë miell, 1 lugë kakao, 10 lugë sheqer.

Përmbajtja e fillit: 2 lugë miell, 300 ml. qumësht, 200 gr. margarinë, 50 gr. çokollatë, 16 lugë sheqer, 1 shllag

Përgatitja:

Brumi: I ndani të bardhat e vezëve nga ato të verdhat. I grimconi hurmat dhe arrat. I përzieni me mikser të bardhat e vezëve dhe hidhni 10 lugë sheqer, e mbasi të tretet sheqeri shtoni 4 lugë miell, arrat, hurmat dhe kakaon. I përzieni me lugë. Në tepsi të gjerë katrore, në të cilën është e preferuar të shtrohet letër për pjekje, hedhni brumin dhe e pjekni në 200 gradë për 15-20 minuta.

Filli: Me mikser përzieni të verdhat e vezëve me 2 lugë miell. Qumështin hidheni në tenxhere që të vlohet me 16 lugë sheqer. E përzieni deri sa të trashet dhe ndërkohë hedhni të verdhat e vezëve. Largoni tenxheren, e coptoni çokollatën dhe e përzieni deri sa të shkrihet. Pastaj, hedhni margarinën dhe e përzieni deri sa të shkrihet krejt.

Dekorimi: Brumin e ndani në tri pjesë, e lyeni me fill dhe kur të ftohet e dekoroni me shllag.