Tortë e shijshme me molla dhe arra

Përbërësit: 4 molla, 150gr sheqer, 1 lugë të mesme sodë bikarbonate, 3 vezë, 150ml vaj, 1 sheqer vanilje, 8 lugë arra të bluara (200gr), 1 lugë e mesme pluhur për pjekje, 200gr miell, marmelatë kumbulle.

Përgatitja: Fillimisht marrim 4 molla i pastrojmë dhe më pas i qërojmë, pasi ti kemi qëruar i marrim mollët dhe i grijmë në rende imët një nga një. Më pas mollët e grira i hedhim në një enë kuzhine dhe u shtojmë 150gr sheqer, 1 lugë të mesme sodë bikarbonate dhe e përziejmë masën mirë me lugë.

Më pas enën e mbështjellim me qese kuzhine dhe e lëmë të qëndrojë 1 orë në frigorifer, pasi të ketë qëndruar në frigorifer për 1 orë e largojmë, ia largojmë edhe qesen e kuzhinës më pas tek masa pra tek mollët shtojmë 3 vezë duke i rrahur paraprakisht me anë të një luge.

Pastaj tek masa shtojmë 150ml vaj, 1 sheqer vanilje, 8 lugë arra të bluara, një lugë të mesme pluhur për pjekje, 200gr miell duke i përzier të gjitha së bashku me tel kuzhine deri sa të fitojmë një masë homogjene. Më pas marrim një enë kuzhine (tepsi) e lyejmë me gjalpë (margarinë) i hedhim dhe pak miell sipër dhe më pas e shtojmë masën e brumit në tepsi duke e shtrirë mirë me lugë.

Më pas ëmbëlsirën e fusim në furrën e para ngrohur dhe e pjekim në temperaturë 180 gradë C për 35 minuta. Pasi ëmbëlsira të piqet, e largojmë nga furra dhe e lëmë që të ftohet për pak minuta më pas e lyejmë sipër me marmelatë kumbulle dhe e dekorojmë me arra të bluara përsëri. Ju bëftë mirë!