Recetë: Pomadë nga speci djegës për dhimbje të eshtrave

Një kurë të thjeshtë me spec djegës dhe vaj ulliri, për të lehtësuar dhimbjet e muskujve dhe kockave; një pomadë kuruese që “mpin” dhimbjet dhe ul enjtjet.

Dëmtimi i kockave ose dhimbjet e kyçeve ndodhin për një sërë arsyesh, por tre faktorët më kryesorë janë mosha, ushqyerja dhe stili i jetesës. Ndonëse pasojat e moshës nuk i kontrollojmë dot, tek ushqyerja dhe stili i jetesës, jemi akoma në kohë për të ndryshuar dhe për të vënë kontroll.

Formimi i kockave ndodh kryesisht gjatë fëmijërisë dhe viteve të adoleshencës. Kockat zmadhohen, rëndohen, janë më të forta dhe më të dendura. Dendësia maksimale e kockave arrihet në moshën 30 vjeçare, pas kësaj moshe formimi i kockave i lë vendin zvogëlimit të masës kockore.

Tek femrat, ky fenomen përshpejtohet gjatë viteve të para pas menopauzës dhe vazhdon më tutje gjatë pleqërisë. Sëmundjet më të shpeshta që shkaktohen nga dëmtimi i kockave janë reumatizma, osteoporoza dhe artroza. Këto sëmundje shkaktojnë dhimbje të forta të kyçeve apo enjtje të tyre.

Një kurë shtëpiake që “përcëllon” dhimbjet e kyçeve

Vlerat shëndetësore të specit djegës janë të shumta. Si një lehtësues natyral i dhimbjes, speci djegës arrin të mbrojë zemrën dhe të ndihmojë sistemin imunitar. Madje në lashtësi përdorej dhe për të ndaluar hemorragjitë nga plagët e ndryshme.

Ju sjellim një kurë të thjeshtë me dy përbërës, spec djegës dhe vaj ulliri, për të lehtësuar dhimbjet e muskujve dhe kockave, një pomadë e jashtëzakonshme që “mpin” dhimbjet dhe ul enjtjet.

Por, përse këto dy përbërës?

Vlerat e specit djegës: Speci i kuq djegës përmban kapsaicin, një substancë që arrin të ngadalësojë dërgimin e sinjaleve të dhimbjes nga receptorët e lëkurës në tru.

Këtë substancë mund ta keni hasur dhe në pomadat që përdoren për trajtimin e osteoporozës dhe artriti reumatizmale. Gjithashtu speci djegës stimulon qarkullimin e gjakut gjë që ndihmon në funksionimin e muskujve dhe nyjeve.

Vlerat e vajit të ullirit: Vaji i ullirit përmban oleokatinë.

Kjo substancë ka aftësi anti-inflamatore, pasi lufton dy enzima që shkaktojnë inflamacionin kronik.

Thuajse në çdo kurë shtëpiake por edhe ilaçe farmaceutike, vaji i ullirit është baza në çdo locion antidhimbje për kyçet.

Si të përgatisni kurën në dy metoda 

Njëra nga mënyrat e përgatitjes, është fare e lehtë. Në një kavanoz të qelqtë vendosim 2-3 speca djegës dhe e mbulojmë me vaj ulliri. Kavanozin e mbyllur me kapak e vendosim në një vend të ekspozuar në dritë, dhe e lëmë për dy javë. Më pas mjafton ta aplikoni në zonat që ju japin shqetësim.

Nëse nuk doni që të prisni dy javë për të përgatitur këtë kurë, mjafton të ndiqni hapat e mëposhtëm. Ajo që do t’iu nevojitet është gjysmë luge çaji me spec djegës pluhur dhe një filxhan çaji me vaj ulliri. Vajin e ullirit e hedhim në një tas dhe e ngrohim me banjo-mari, pra e vendosim tasin në ujë të ngrohtë.

Më pas shtojmë specin djegës pluhur dhe e trazojmë në mënyrë që përbërësit të formojnë një masë homogjene, si pomade (ngjashem me foton). Këtë masë aplikojeni në nyje apo muskujt që ju shkaktojnë dhimbje dhe e fërkojmë në të gjithë sipërfaqen, në mënyrë që të përthithet nga lëkura.

Në të dyja rastet ju këshillojmë që të tregoni kujdes, sepse kjo pomade, nëse bie në kontakt me sytë, mund të shkaktojë skuqje madje dhe probleme më serioze. Gjithashtu pasi të keni aplikuar këtë pomadë, mos e shpëlani zonën me ujë të ngrohtë pasi nxehtësia do të shkaktojë djegie në kontakt me vendin e lyer.

Ushqimet që duhet ti konsumoni

Ndonëse nuk ka një ushqim specifik që mund të përshkruhet si magjik kundër dhimbjeve, një regjim i shëndetshëm ushqimor bën ndryshim në organizëm.

Brokoli dhe lakrat: Këto perime janë të dobishme në ngadalësimin e progresit të sëmundjes. Ato janë të pasura në ushqyes, vitamina dhe minerale që u bëjnë mirë kyçeve dhe zbusin dhimbjen.

Peshqit: Salmoni, peshku ton, trofta dhe skumbria janë të pasura me acide yndyrore omega-3 që luftojnë inflamacionin. Peshqit duhen ngrënë dy tre herë në javë. Në të kundërt, duhet të merrni suplementë të omega-3.

Hudhra: Hudhra, qepët dhe preshi përmbajnë përbërës që luftojnë një sërë sëmundjesh, përfshirë artritin. Këto përbërës, kufizojnë ndjeshëm aktivitetin e enzimave që dëmtojnë kyçet.

Vitamina C: Antioksidantët tek vitamina C ngadalësojnë avancimin e sëmundjes, thonë ekspertët.

Studimet thonë se njerëzit që marrin suplementë të kësaj vitamine të rëndësishme janë 11 përqind më pak të rrezikuar nga artriti dhe sëmundjet e ngjashme. Përveç suplementëve, vitaminën C mund ta merrni nga shumë fruta dhe perime të ndryshme. Këtu përfshihen luleshtrydhet, kivi, ananasi ose pjepri.