Bukë e shijshme indiane ”Naan”

Përbërësit:

500gr miell të bardhë, një qese tharmë instant, 2 lugë të vogla mjaltë, 6 lugë të vogla jogurt, 2 lugë të vogla gjalpë të shkrirë, një lugë të vogël kripë, 250ml ujë të vakët, susam për hedhje sipër, gjalpë të shkrirë për lyerje.

Përgatitja:

Fillimisht në tepsi përzieni miellin dhe tharmin instant dhe në mes bëni një gropë në të cilën shtoni me radhë mjaltin, jogurtin, gjalpin dhe kripën. Me pirun përzieni lehtë të gjithë përbërësit duke shtuar ujë të vakët, kur më nuk mund ta përzieni me pirun filloni ta ngjeshni me duar.

Më pas hidheni në tavolinë pune dhe mirë e mirë ngjesheni, ngjesheni së pasku 10 minuta në mënyrë që gluteni të zhvillohet mirë. Brumin e përzierë lyeni me pak gjalpë apo vaj, mbulojeni me leckë të pastër dhe lëreni në vend të ngrohtë që të bymehet.

Kur brumi të bymehet sërish kthejeni në tavolinë pune, rraheni me shuplakë të dorës në mënyrë që të dalë ajri nga brumi dhe ngjesheni pak edhe njëherë. Ndajeni brumin në tetë (apo dymbëdhjetë) pjesë dhe secilën pjesë, hollojeni me holluese në formë ovale me trashësi rreth 1cm.

Tiganin e madh nxeheni që të jetë shumë i nxehtë, pastaj zvoglojeni pak zjarrin dhe në tiganin e nxehur piqni bukët e përgatitura. Secilën piqeni nga 3 deri 4 minuta nga njëra anë dhe më pas ktheni në anën tjetër dhe piqni disa minuta por mos i piqni më shumë se dy bukë përnjëherë.

Kur bukët (kuleçët) të jenë pjekur, menjëherë lyeni me gjalpin e shkrirë dhe hidhni sipër susam. Deri sa të bëhen gati për shërbim, mbani pak në furrë të ngrohur në mënyrë që të mos ftohen. Ju bëfshin mirë!