Përbërësit: 500gr miell, 1 vezë, 1 lugë e mesme sheqer, 1 lugë e mesme kripë, 20gr maja buke, 100ml margarinë i shkrirë, 150ml qumësht i ngrohtë, qep të njomë, 1 lugë margarinë, vaj ulliri, kripë, 300gr mozarela ose kaçkavall, biber të zi.
Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine, shtojmë miellin, vezën, sheqerin, kripën, maja buke, margarinën e shkrirë, qumështin e ngrohtë dhe i përziejmë mirë të gjitha së bashku me lugë. Pasi e kemi përzier mirë, masën e hedhim në tavolinë të përmiellur dhe e ngjeshim me duar deri sa të formojmë një kulaç nga brumi dhe më pas e lëmë të pushoj për 20 minuta.
Më pas marrim 300gr mozarela dhe e presim në feta të holla, në ndërkohë marrim një enë tjetër kuzhine dhe shtojmë një qepë të njomë të grire dhe në të hedhim një lugë margarinë, vaj ulliri, kripë dhe e përziejmë me pirun.
Pasi brumi të ketë pushuar, e hedhim në tepsi të lyer e shtrijmë ngadalë me duar dhe e presim sipër me thikë në forma katrore (si për mantija) dhe e lëmë të pushojë ashtu prapë për 20 minuta. Më pas e lyejmë sipër me masën e përgatitur me qepë, margarinë, vaj ulliri dhe kripë.
Pasi e kemi lyer sipër, marrim djathin mozarela dhe fetat i vendosim mes çdo katrori një nga një dhe sipër i hedhim biber të zi. Më pas bukën e fusim në furrë për pjekje, në 250 gradë C për 20 minuta. Pasi të piqet e largojmë nga furra e lëmë për pak të ftohet më pas e shërbejmë. Bëhet një bukë shumë e shijshme dhe e butë. Ju bëftë mirë!