Dy tortet që duhet t’i keni për Kurban Bajram

Festa e Kurban Bajramit po afrohet, dhe në ditët në vazhdim do të vazhdojmë të publikojmë receta të ndryshme të cilat mund t’i përgatitni për këtë festë.

Tortë e lëngshme me çokollatë

Përbërësit: 60gr sheqer, 4 vezë, 50gr arra të bluara, 20gr miell, 20gr kakao, ½ pluhur për pjekje, lëvorja e një portokalli të grirë në rende. Kremi: Ajkë e ëmbël, 200gr çokollatë për zierje, 80ml qumësht, 50gr margarinë, 40gr sheqer, 2 lugë nutellë dhe 2 portokaj.

Glazura: 150ml ajkë e ëmbël, 100gr çokollatë për zierje, lëvorja e ½ portokalli të grirë në rende. Udhëzimet: Ndahen të bardhat nga të verdhat e vezës. Përzihen të bardhat me 30gr sheqer. Të verdhat tunden me 30gr sheqer dhe në këtë masë shtohet edhe mielli i përzier me pluhurin për pjekje dhe kakao.

Përzihen arrat e bluara dhe lëvorja e portokallit dhe shtohen tek masa me të bardhat e përziera në shkumë të fortë. Tani i përziejmë të dyja masat me të bardhat e vezës dhe të verdhat, dhe përziejmë derisa të bëhet një masë homogjene.

Këtë masë e vendosim në kallëp të lyer dhe të mbuluar me letër për pjekje me madhësi 24cm. Pasi pjekim në temperaturë 180 gradë për 20 minuta, pandispanjën e lëmë të ftohet. Ndajmë pandispanjën në dy shtresa. Për kremin marrim portokallet dhe i grijmë të tëra në blender. Çokollatën e shkrijmë me qumështin, ajkën e ëmbël dhe sheqerin. I përziejmë me puren nga portokallet e bluara.

Shtojmë dhe nutellen dhe përziejmë edhe pak pastaj e lëmë të ftohet kremi. Në një tabaka shtrojmë njërën pjesë të pandispanjës dhe lyejmë me gjysmën e kremit. Përsipër qesim dhe pandispanjën e dytë dhe mbulojmë me kremin e mbetur. Ëmbëlsirën e lëmë të ftohet në frigorifer.

Për glazurën ngrohim ajkën e ëmbël, çokollatën e copëtuar dhe shtojmë lëvoret e portokallit të grirë në rende dhe e mbulojmë përsipër tortën dhe e lëmë të ftohet.

Kadaif:

Përbërësit: 500gr kadaif, 150gr gjalpë, 200gr arra. Përgatitja: E hapim kadaifin në tepsi dhe mbi të hedhim gjalpin e shkrirë. Më pas e fusim në furrë në temperaturën 180 gradë deri sa të piqet.

Gjatë kohës së pjekjes përgatisim sherbetin e kadaifit. Kujdes, pasi ftohet kadaifi i hedhim sherbetin, i cili duhet të jetë i vakët në mënyrë që mos të qulloset. Përbërësit për sherbetin: 1 kg sheqer, 700ml ujë, gjysmë limoni. Koha e zierjes së sherbetit: 5 minuta.