Përbërësit: 3 vezë, 10 lugë sheqer, 1 filxhan qumësht, 1 filxhan vaj, 10 lugë miell, 1 pluhur për pjekje (pecivë), një lugë kakao.
Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine dhe shtojmë 3 vezë, 10 lugë sheqer dhe i përziejmë mirë me mikser deri sa të bëhet një masë e trashë siç e shikoni në video. Më pas tek masa shtojmë 1 filxhan qumësht, 1 filxhan vaj dhe e përziejmë përsëri edhe për pak masën me mikser.
Pasi e kemi përzier masën mirë me mikser, shtojmë tek masa 10 lugë miell, 1 pluhur për pjekje dhe më pas e përziejmë masën me tel kuzhine deri sa të trete mirë mielli dhe pluhuri për pjekje. Pasi masa të jetë gati e marrim një tepsi katrore për ëmbëlsira dhe e lyejmë mirë me vaj, pastaj në tepsi hedhim masën e përgatitur duke e shtrirë mirë me lugë.
Në fund të enës e lëmë pak brumë dhe i shtojmë një lugë kakao, e përziejmë mirë dhe më pas e shtojmë sipër brumit që e kemi hedhur më parë në tepsi. Më pas ëmbëlsirën e fusim në furrë për pjekje, furra duhet të jetë e nxehtë paraprakisht në 150 gradë C dhe e shikoni vazhdimisht me një shkop deri sa të piqet.
Pasi të piqet e largojmë nga furra dhe e presim në copëza katrore, më pas e lëmë të ftohet për pak dhe pastaj e shërbejmë. Një ëmbëlsirë shumë e shijshme dhe e lehtë. Ju bëftë mirë!