Ëmbëlsirë me kokos dhe sherbet

Përbërësit: 3 vezë, 1 gotë sheqer, 1 gotë qumësht, 1 gotë vaj, 100gr kokos, 1 pluhur për pjekje (pecivë), 25 lugë miell.

Për sherbetin: 1 gotë sheqer, 2 gota ujë, 2 feta limoni.

Përgatitja: Marrim fillimisht një enë kuzhine dhe shtojmë 3 vezë duke i përzier për pak me mikser, më pas shtojmë tek vezët 1 gotë sheqer duke i përzier vazhdimisht përbërësit me mikser pra siç e shikoni në video. Më pas shtojmë tek masa 1 gotë qumësht, 1 gotë vaj duke e përzier secilin përbërës që shtojmë me mikser.

Pastaj tek masa që e kemi përzier shtojmë 1 pluhur për pjekje (pecivë) dhe 25 lugë gjelle miell. E përziejmë mirë masën deri sa të trete mielli, më pas tek masa shtojmë 100gr kokos dhe e përziejmë përsëri masën mirë me mikser kuzhine. Pasi brumi për ëmbëlsirën të jetë gati, marrim një tepsi për ëmbëlsira dhe e lyejmë me vaj më pas hedhim në të masën e përgatitur për ëmbëlsirë.

Pasi e kemi hedhur masën në tepsi, e vendosim në furrë për pjekje në 180 gradë C për 25 minuta. Ëmbëlsirën e shikojmë vazhdimisht deri sa të piqet, që të mos na digjet dhe më pas kur të jetë gati e largojmë nga furra dhe e lëmë të qëndrojë në një anë.

Në ndërkohë që ëmbëlsira piqet marrim një enë tjetër kuzhine (tenxhere) dhe e përgatisim sherbetin, shtojmë 1 gotë sheqer, 2 gota ujë, 2 feta limoni dhe e ziejmë për 10 minuta më pas e lëmë me një anë që të ftohet. Më pas ëmbëlsirën e presim në formën që dëshirojmë dhe sherbetin e ftohtë ia hedhim sipër ëmbëlsirës së nxehtë.

Pasi ta ketë pirë për pak minuta ëmbëlsira sherbetin, sipër e dekorojmë me kokos dhe e lëmë që të ftohet më pas e shërbejmë. Bëhet shumë e shijshme dhe përgatitet shpejtë. Ju bëftë mirë!