Përbërësit: 5 vezë, 17 lugë gjelle sheqer, 17 lugë gjelle qumësht, 17 lugë gjelle vaj, 15 lugë gjelle miell, 4 lugë gjelle kakao, 1 pako e gjysmë pluhur për pjekje.
Për sherbetin: 2 gota të ujit qumësht, 2 gota të ujit ujë, 10 lugë gjelle sheqer. Për dekorim: 2 pako krem shllag, 1 gotë të ujit qumësht të ftohtë, 4 lugë gjelle sheqer, çokollatë të shkrirë për dekorim, arra.
Përgatitja: Fillimisht në një enë kuzhine shtojmë 5 vezë, 17 lugë të gjellës sheqer dhe më pas e përziejmë masën mirë me mikser për 10 minuta. Më pas tek masa shtojmë 17 lugë të gjellës qumësht, 17 lugë të gjellës vaj dhe e përziejmë masën edhe për pak me mikser. Pastaj shtojmë tek masa 15 lugë të gjellës miell, 4 lugë të gjellës kakao, 1 pako e gjysmë pluhur për pjekje.
Pasi i kemi shtuar të gjithë këta përbërës, e përziejmë përsëri masën mirë me mikser dhe pasi të jetë gati e hedhim në tepsi të lyer me vaj dhe të spërkatur me pak miell. Më pas e fusim në furrë për pjekje dhe e pjekim në temperaturë 200 gradë C për 20 minuta.
Derisa ëmbëlsira piqet e përgatisim sherbetin, në një enë kuzhine (tenxhere) shtojmë 2 gota të ujit qumësht, 2 gota të ujit ujë, 10 lugë të gjellës sheqer dhe e përziejmë mirë me lugë. Në ndërkohë e përgatisim edhe krem shllagun për lyerje me përbërësit që i kemi cekur më lartë.
Pasi ëmbëlsira të piqet e largojmë nga furra dhe ia hedhim sipër sherbetin me qumësht, më pas e lyejmë sipër me krem shllagun e përgatitur më parë. Sipër e dekorojmë me çokollatë të shkrirë dhe pasi e presim në copëza katrore e dekorojmë edhe me nga një kokërr arre. Ju bëftë mirë!