Përbërësit për 3 lloje meze: 1.5kg patate të ziera, kripë, biber i zi, djathë i fortë parmezan, ajkë e tharët (pavllakë), 8 feta mish të tymosur (proshut), kaçkavall, 1 lugë ajvar, 5 kastravecë turshi, 2 lugë majonez, rigon, marule, tuna peshk, kechup, spec i shtypur, ullinj të zi.
Përgatitja: Fillimisht i marrim patatet e ziera, i vendosim në një enë dhe më pas i shtypim mirë me anë të një luge për pure deri sa të bëhen pure plotësisht. Më pas tek patatet shtojmë 1 lugë të mesme kripë, pak biber të zi, djathë të fortë parmezan dhe i përziejmë mirë patatet me lugë deri sa të përzihen mirë me përbërësit.
Më pas patatet i ndajmë në 3 pjesë të barabarta, marrim një letër kuzhine dhe shtojmë njërën pjesë nga patatet që të përgatisim mezën e parë. I vendosim patatet me lugë në letër kuzhine, i shtrijmë pak me lugë më pas sipër ia hedhim dhe një letër tjetër kuzhine dhe e hollojmë masën sipër me holluese duke formuar një petë të madhe ashtu si në video.
Pastaj sipër petën e patateve e lyejmë me ajkë të tharët, shtojmë 8 feta mish të tymosur, një rend feta kaçkavall më pas e mbështjellim petën në formë të roles me ndihmën e letrës së kuzhinës dhe pasi e mbështjellim ia largojmë letrën e presim me thikë rolen në copëza dhe e vendosim në një enë.
Më pas përgatisim mezën e dytë, marrim pjesën tjetër të patateve ua shtojmë një lugë ajvar i përzijemë mirë më pas e hedhim në letër kuzhine dhe veprojmë njësoj si me petën e parë të patateve duke e shtrirë mirë me anë të hollueses. Në një enë shtojmë 5 kastravecë turshi të grirë në rende, ujin që lëshojnë kastravecët ua largojmë me anë të lugës duke i shtypur me një anë.
Tek kastravecët e grirë në rende shtojmë 2 lugë majonez, i përziejmë mirë më pas petën e patate e lyejmë sipër me këtë masën dhe e bëjmë në formë role njësoj si petën e parë, e presim në copëza dhe e vendosim në një enë kuzhine.
Më pas marrim pjesën e fundit të patateve dhe përgatisim mezën e tretë, shtojmë tek patate rigon më pas e hedhim masën në letër kuzhine dhe përsëri formojmë një petë nga patatet duke e holluar me holluese. Më pas sipër petës së patates vendosim disa fleta marule, tuna peshk dhe e mbështjellim njësoj përsëri në formë role dhe më pas e presim.
Pasi i kemi vendosur mezet nëpër enë, i lyejmë sipër disa me majonez disa me kechup dhe i spërkasim me spec të shtypur. Vendosim dhe ullinj të zi apo të bardhë sipas dëshirës, një mezë kaq të shijshme nuk e keni provuar më parë. Ju bëfshin mirë!