Sa herë dalim në qytet, ndjejmë mungesën e theksuar të ajrit, ose thithim një ajër të ndotur si rezultat i trafikut, ngrohjes globale apo mungesës së shiut.
Por çfarë duhet të bëjmë ne si qytetarë për të reduktuar smogun dhe ruajtur shëndetin tonë: Ja disa këshilla që mund të vlejnë për gjithsecilin:
Lani shpesh flokët: Kur futemi në shtëpi gjëja e parë që vëmë re është se flokët tanë mbajnë erë jo të mirë. Për këtë arsye duhet që t’i lajmë shpesh për të larguar kështu smogun e ngjitur në to si dhe aromat e pakëndshme. Mos i hapni dritaret herët në mëngjes: Në fakt kjo duket si e çuditshme pasi është gjëja e parë që të gjithë bëjmë pasi zgjohemi nga gjumi. Hapim dritaret për të ajrosur dhomën, por në fakt kjo nuk është një zgjidhje e mençur pasi nëse jetoni në një zonë shumë të ndotur apo buzë rrugës, atëherë do të lini smogun që të futet në shtëpi. Më e mira është që shtëpinë ta ajrosni në mbrëmje vonë.
Në makinë përdorni kondicionerin: Nëse jeni nga ata që nuk bëni dot pa makinë, atëherë bëni mirë të përdorni kondicionerin për të larguar ajrin e ndotur. Kjo kërkon më shumë konsumim të karburantit, por edhe ndotje të ambientit. Kështu që më mirë përdorni transportin publik. Mos praktikoni joga në qytet: Nëse jetoni në një qytet të ndotur, nuk do të ishte e udhës të bëni Joga në ambient të hapur. Më mirë një orë e mirë në shtrat duke lexuar një libër.
Lani fytyrën: Ashtu si për flokët, e njëjta gjë vlen edhe për fytyrën. Lajeni atë, menjëherë sapo futeni në shtëpi. Mos ndaloni me bicikletë në semafor pas makinave: Ata që përdorin bicikletën njihen si dashamirës të mjedisit, por duhet të bëjnë kujdes kur ndodhen në semafor. Ndalesa pas makinave i ekspozon ata më shumë ndaj smogut.
Mos i nxjerrni fëmijët shëtitje në orarin e pikut të ndotjes: Të dalësh në shëtitje në oraret kur trafiku në qytet është shumë i rënduar, do të thotë të thithësh ajër të ndotur. E mira është që të shëtisni larg ambienteve publike dhe në orare kur lëvizja e automjeteve ka rënë. Mos qëndroni me makinë ndezur: Nëse jeni duke pritur dikë, apo keni ndaluar për të blerë diçka, mos e mbani automjetin të ndezur. Kjo do të sillte më shumë smog dhe ndotje.