Roladë mozaik

Përbërësit për pandispanjen:

6 vezë, 6 lugë sheqer, 6 lugë miell,1 qeskë sheqer vanilje.

Përbërësit për fillin:

300gr biskota të bluara,1 portokall, 250gr zhele bonbone të grimcuara, 200gr rrushë të thatë të ulur në ujë dhe rum, 300gr arra të grimcuara, 150gr çokollatë të grimcuar, 200gr gjalpë të zbutur, 4 vezë, 150gr sheqer pluhur.

Udhëzimet:

Përgatitet dhe piqet pandispanja në tepsi katrore shporeti. Përmbyset në pecetë të lagur, largohet letra dhe mbulohet me të. Tundet gjalpi me sheqer pluhur, shtohen të verdhat e vezëve një nga një duke i tundur së bashku në masë të njëllojtë.

Shtohen lëngu i portokallit dhe lëvorja e kaluar në rende. Duke e përzierë masën gradualisht, hidhen biskotat e bluara, arrat e grimcuara, rrushi i kulluar, çokollata e grimcuar dhe zhele bonbonet e prera imët. Veçantë tunden të bardhat e vezëve në shkumë të dendur dhe përzihen me lugë me masën e përgatitur, gjersa filli të bëhet i njëllojtë.

Pandispanja pritet skajeve që të rrafshohet dhe masa e fillit vendoset në mes të pandispanjes në formë të sallamës. Me kujdes mbështillet filli, duke i bashkuar skajet e pandispanjes dhe duke ngjitur njërin me tjetrin. Shkrihen 100gr çokollatë me 4-5 lugë qumësht, 3 lugë vaj dhe hidhet mbi sipërfaqen e roladës duke e lyer atë.

Mbi hidhen arra të grimcuara. Rolada ftohet mirë, pastaj pritet në copa trashësie 1cm e gjysmë. Me të njëjtin fill mund të përgatitet edhe torta “bombë”. Në këtë rast pandispanja vendoset në enë me fund sferik, mbushet me fill dhe mbulohet me pandispanje.

Pasi të ftohet në frigorifer me ngrirje të thellë, përmbyset në pjatë për tortë dhe zbukurohet sipas dëshirës ose duke ia dhënë formën e topit të basketbollit, futbollit etj.

Ju bëftë mirë!