Sheqerpare me arra të bluara

Përbërësit: 250gr gjalpë (margarinë), 80ml vaj, 1 vezë, 1 sheqer vanilje, 50gr arra të bluara (jo të grimcuara), 400gr miell, 12gr pluhur për pjekje (pecivë), kokos për dekorim.

Për sherbetin: 500gr sheqer, 400ml ujë, gjysmë limoni.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine, shtojmë 250gr gjalpë të shkrirë (margarinë), më pas tek gjalpi shtojmë 80ml vaj (një gotë të çajit) i përziejmë pak me tel kuzhine. Pastaj shtojmë një vezë, një sheqer vanilje, 50gr arra të bluara (një gotë të çajit) dhe e përziejmë përsëri masën me tel kuzhine.

Më pas tek masa shtojmë 400gr miell, 12gr pluhur për pjekje (pecivë) dhe e përziejmë masën me duar deri sa të bëhet një brumë i butë dhe të mos ngjitet për duar. Pasi e kemi bërë brumin gati, marrim një tepsi për ëmbëlsira dhe e lyejmë me vaj.

Marrim brumin dhe me të formojmë toptha të vegjël, duke i renditur një nga një në tepsi. Më pas me anë të gotës së çajit i dekorojmë topthat e sheqerpareve ashtu si në video duke bërë disa vija sipër. Pasi i kemi vendosur sheqerpare në tepsi, i fusim në furrë për pjekje në 200 gradë C për 20 minuta.

Më pas marrim një enë kuzhine (tenxhere) shtojmë 500gr sheqer, 400ml ujë, shtrydhim një gjysmë limoni dhe më pas e ziejmë sherbetin për 10 minuta dhe pasi të zihet e lëmë për 5 minuta që të ftohet.

Sherbeti duhet të jetë i nxehtë, kurse sheqerparja duhet të jetë e ftohtë. Me anë të lugës për gjella ua hedhim sherbetin ngadalë, sheqerparet sipër i dekorojmë me kokos. Ju bëfshin mirë!