Përbërësit: 600ml krem hoplla, gjysmë kilogrami biskota oreo dhe një pako biskota oreo për dekorim, 3 lugë gjelle sheqer pluhur (50gr), 200gr çokollatë të bardhë, 100gr gjalpë, 2 pako djathë philadelphia (180gr).
Përgatitja: Fillimisht marrim 100gr gjalpë dhe e shkrijmë në temperaturë mesatare, mund ta shkrini edhe në mikrovalë më pas e lëmë anash. Pastaj marrim biskotat oreo i fusim në një qese dhe i shtypim me anë të hollueses deri sa të copëtohen mirë dhe të bëhen të imët (nëse keni blender, mund ti bluani edhe në blender).
I largojmë biskotat nga qesja dhe i shtypim edhe për pak me holluese nëse është e nevojshme. Më pas tek biskotat oreo shtojmë 100gr gjalpë të shkrirë dhe i përziejmë mirë me lugë deri sa të bashkohen biskotat me gjalpin. Më pas marrim një tepsi për ëmbëlsira me madhësi 34cm me 24cm në formë katrore.
Së pari në tepsi shtrojmë një qese kuzhine, që më pas ta largojmë më lehtë ëmbëlsirën nga tepsia. Më pas në tepsi shtojmë biskotat oreo të përziera me gjalpë dhe i shtrijmë mirë në tepsi me lugë ose me dorë. Pastaj e fusim tepsinë në frigorifer për 20 minuta deri sa të përgatisim mbushjen.
Marrim një enë kuzhine, shtojmë 500ml krem hoplla kurse nga njëra pako ndajmë 100ml hoplla ashtu si e shikoni përgatitjen në video. Më pas tek kremi hoplla shtojmë 3 lugë të gjellës sheqer pluhur (nëse përdorni hoplla të ëmbël, nuk keni nevojë ti shtoni sheqer pluhur). E përziejmë masën me mikser për 3-4 minuta deri sa të bëhet një masë kremoze.
Në një enë tjetër kuzhine shtojmë 2 pako djathë philadelphia, e tundim pak me mikser më pas krem djathin e bëjmë bashkë me kremi hoplla. Më pas tek kjo masë marrim 1 pako biskota oreo dhe shtojmë vetëm gjysmën duke i copëtuar me dorë dhe më pas e përziejmë masën me mikser.
Më pas tepsin e largojmë nga frigorifer, sipër biskotave oreo shtojmë masën e përgatitur më parë me krem hoplla, djathë philadelphia dhe biskota oreo të copëtuara dhe e shtrijmë masën e kremit mirë me lugë. Pastaj e fusim përsëri në frigorifer për 20 minuta deri sa të përgatisim çokollatën për dekorim.
Marrim një enë kuzhine (tenxhere), shtojmë 100ml krem hoplla që i kemi ndarë më herët dhe e lëmë për pak minuta që të ngrohet. Pasi është ngrohur kremi hoplla, shtojmë çokollatën e bardhë dhe e shkrijmë në temperaturë të ulët.
Pasi të shkrihet çokollata, e largojmë ëmbëlsirën nga frigoriferi dhe ia hedhim çokollatën e shkrirë sipër. Në fund biskotat oreo që na kanë mbetur nga 1 pako, i copëtojmë në mënyrë të njëjtë duke i vendosur në qese dhe e dekorojmë ëmbëlsirën sipër me ta.
Në fund fare me ndihmën e qese që e kemi vendosur në fillim në tepsi, e largojmë ëmbëlsirën nga tepsia dhe më pas e presim me thikë pastaj e shërbejmë. Ju bëftë mirë!