Gurabija të buta me jogurt

Përbërësit: 2 vezë, 100gr sheqer, 100ml jogurt (një gotë të çajit), 100ml vaj (një gotë të çajit), një pako sheqer vanilje, 350gr miell, një pako pluhur për pjekje, susam.

Përgatitja: Fillimisht marrim një enë kuzhine, shtojmë vezët, 100gr sheqer, 100ml jogurt, 100ml vaj, një pako sheqer vanilje dhe i tundim mirë të gjithë përbërësit me tel kuzhine. Më pas tek masa e përgatitur me përbërësit e cekur më lartë shtojmë 350gr miell dhe një pako pluhur për pjekje.

Më pas masën e përziejmë mirë me dorë, derisa mielli të bashkohet me masën dhe të formojmë një brumë të butë. E ngjeshim brumin mirë me duar, më pas fillojmë dhe formojmë toptha gurabije me të. Gurabijet i formojmë me duar ashtu si në video, duke i renditur një nga një në tepsi të lyer.

Pasi i kemi vendosur të gjitha gurabijet në tepsi, marrim një vezë të tundur dhe i lyejmë gurabijet sipër me të një nga një me anë të një luge ose brushe kuzhine. Pasi i kemi lyer të gjitha gurabijet me vezë, marrim një enë me susam dhe e lyejmë sipër secilën gurabije ashtu si në video, pra duke i zhytur sipër në susam.

Pasi i kemi zhytur të gjitha gurabijet në susam dhe i kemi vendosur në tepsi, i fusim në furrë për pjekje dhe i pjekim në temperaturë 200 gradë C për 10 minuta. Pasi të piqen i largojmë nga furra, i lëmë për pak që të ftohen më pas i shërbejmë. Ju bëfshin mirë!