Ndoshta i keni provuar japrakët me lakër, por në variantin me oriz. Sot do ta përgatisim mbushjen e tyre me mishin e salsiçeve dhe do t’i zhysim në salcë duke përftuar një shije që vështirë të mos ju pëlqejë.
Përbërësit: 4 gjethe lakre, 1 qepë, 1 thelpi hudhër, 400gr domatesh, vaj ulliri, piper, salsiçe, 150gr djathë fontina (pak më i butë se kaçkavalli), 2-3 lugë gjelle bukë e grirë e thekur, 2-3 lugë gjelle parmixhano i grirë, 1 vezë, kripë.
Përgatitja: Për mbushjen e japrakëve skuqni salsiçet me pak vaj, hudhrën dhe qepën e grirë. Salsiçeve ua keni hequr lëkurën paraprakisht dhe i keni shtypur me piurn. Hiqini nga zjarri më pas dhe lërini të ftohen. Në një tas shtoni bukën e grirë të thekur, parmixhanon dhe vezën.
Shtoni salsiçen e skuqur, piper dhe pak arrë moskat nëse dëshironi. Punojeni brumin me duar, jepuni një valë gjetheve të lakrës dhe lërini të ftohen. Mbushini ato me përgatitjen e salsiçeve dhe mbyllini duke i lidhur me fill kuzhine. Vendosini në një tigan me pak vaj dhe pak verë të bardhë. Pasi vera të ketë avulluar, shtoni dhe pak ujë e salcën e domateve. Gatuajini për 15 minuta me kapak.
Një drekë që përgatitet shumë shpejtë nuk kërkon shumë përbërës dhe bëhet shumë e shijshme, duhet ta provoni patjetër dhe ta përgatisni sidomos kur keni mysafirë special pasi do ti habitni me shije dhe aromën e kësaj drake.
Ju bëfshin mirë!