Darka e Vitit të Ri në vendin tonë, është një nga ato festa e cila mbledh pranë tryezës të gjithë familjen, pavarsisht nga besimi fetar i tyre. Gjyshet tona dhe më pas nënat, gatuanin një ditë të tërë për të ngrënë më pas 3 apo 4 ditë rradhazi.
Më poshtë po ju japim një menu tradicionale të kësaj feste. Edhe pse tradita është lëkundur pak pas viteve ’90, themelet kanë ngelur po ato.
Antipasta ose Pjata e Parë: Pjate mikse nuk mund të mungojë në tavolinat tradicionale, një pjatë e përbërë nga patate të skuqura, djathi i bardhë, speca gogozhare (turshi), vezë të ziera etj, të gjitha këto të vendosura bukur. Saganaqi: Djathë dele, kaçkavall i lyer me miell dhe i skuqur nga të dyja anët (ose i pjekur në furrë, në tavë balte).
Qofte me mish të grirë dhe Kroketa me patate: Mund të realizoni një pjatë mikse, të përbërë nga qofte dhe kroketa me madhësinë e një are dhe mbase të vendosni një kruajtse dhëmbësh mbi secilën prej tyre. Miks proshuta dhe djathëra: Për tavolinat me tendencë më perendimore. Mund të bashkoni 3-4 lloje djathrash dhe proshutash duke i shërbyer në mënyrë të këndshme.
Si duhet të jetë Sallata?
Sallata ruse: Është mbretëresha e tavolinës së Vitit të Ri. Në Shqipëri, përgatitet duke shtuar edhe rrepa të kuqë (ndryshe nga receta tradicionale), e cila i jep një ngjyrë mjaft festive. Sallatë patatesh me kos dhe qepë të njoma: Edhe kjo sallatë me një shije mjaft delikate, përgatitet me pak majonezë dhe pak kos të trashë grek.
Si duhet të jetë pjata e dytë?
Pershesh me gjel deti: I cili vështirë të mungojë në çdo tavolinë. Sipas traditës së çdo vendi, mund ta përgatisni me miell gruri (kulaç) apo miell misri (buke misri). Gjel deti i mbushur dhe i pjekur (me salcë dhe garniturë): Për ato familje që duan të devijojnë paksa nga shija tradicionale e këtij shpendi të shijshëm.
Fileto gjel deti me kërpudha: Për të mos u renduar shumë për festa, kjo është pjata e dytë që ne ju propozojmë. Kofshe qengji me patate: Për të gjitha familjet që nuk e preferojnë shijen e gjelit të detit.
Çfarë ëmbëlsira duhet të shërbejmë?
Bakllava: Qëndron në krye të listës së ëmbëlsirave së bashku me: Kadaif me arra, Shendetlie me mjaltë, Revani hasude. Ju bëfshin mirë!