avokado

Kështu mund të mbillni dhe rritni avokado në shtëpi

Të gjithë dimë të mbjellim fruta dhe perime të zakonshme në shtëpi, si domate ose patate. Sot kemi vendosur t’ju tregojmë si ta mbillni dhe rritni një bimë shumë të shëndetshme, e cila do t’i dhurojë freski shtëpisë tuaj: avokado.

Nëse keni menduar se nuk mund të rritni avokado në shtëpi, keni menduar gabim. Madje, mbjellja e tij është shumë e lehtë dhe ne tashmë e kemi mbjellë në shtëpinë tonë dhe i ka shfaqur fletat e para. Më poshtë do t’ju tregojmë hap pas hapi si ta rritni avokadon në shtëpi.

Hapi i parë: Me kujdes largojeni bërthamën nga avokado

Me një thikë, priteni avokadon në mes. Duke e prerë, bëni kujdes që mos ta dëmtoni mbështjellësin e madh të avokados në mes. Lajeni bërthamën me ujë, pastrojeni mirë dhe futeni në ujë të pastër për 5 minuta, shkruan Pergatit.com. Është mirë që ta përdorni më shumë se një avokado në këtë proces, sepse disa bërthama mund të mos e japin rezultatin e dëshiruar në hapat e ardhshëm.

Hapi i dytë: Futni në mes të bërthamës 2-3 kruese dhëmbësh

Krueset vendosni në atë mënyrë që secila të jetë në nivel me njëra tjetrën, sepse pjesa më e madhe e bërthamës do të na duhet të qëndrojë mbi ujë. Bëni vrima me kruese dhëmbësh, në mënyrë që 2-3 kruese të mund të futen mirë në pjesën e poshtme të bërthamës. Falë këtij procesi, do të jetë shumë e lehtë që bërthama të qëndrojë në ujë dhe t’i lëshojë rrënjët.

Hapi i tretë: Futeni bërthamën me kruese në një gotë me ujë

Futeni bërthamën e avokados në një gotë me ujë, duke vendosur anën më të trashë poshtë dhe filloni të prisni. Pas një kohe (zakonisht 1 deri në 1 muaj e gjysmë), do të shihni se rrënjët do të formohen nga pjesa e poshtme e bërthamës dhe do të vëreni që trupi i bimës do të fillojë të dalë nga pjesa e lartë e bërthamës.

Natyrisht, mos harroni që gotën me ujë ku rri bërthama gjatë kësaj kohe sa është duke i formuar rrënjët, ta mbani në një vend ku i bie drita e diellit dhe rifreskojeni ujin duke i shtuar ujë kohë pas kohe, pasi e pi, shkruan Pergatit.com.

Hapi i katërt: Mbajeni kështu derisa trupi që mbin nga bërthama të bëhet i fortë dhe 15cm i gjatë

Nëse ka shumë gjethe në krye gjatë kësaj kohe, me kujdes krasitni gjethet në mënyrë që bima të rritet më shpejtë dhe më lehtë. Pas një kohe, do t’i shihni gjethet e reja duke dalë nga bima.

Hapi i pestë: Me kujdes vendoseni bimën e avokados në një tas mesatar

Me kujdes hiqeni bimën nga uji pasi të jetë bërë më e fuqishme, pa ia dëmtuar rrënjët dhe vendoseni në një tas me rreth 20-30cm diametër. Sigurohuni që dheu që zgjidhni në këtë fazë të jetë i pasuruar me mineralet e nevojshme. Nëse nuk keni informacione të mjaftueshme për dheun, mund të merrni ndihmë nga ndonjë lulishte ose ata që punojnë me bimë.

Kur ta mbillni, mos e mbuloni bërthamën komplet me dhe. Përfundojeni mbjelljen në atë mënyrë që pjesa e lartë e bërthamës të jetë rreth 2-3cm mbi dhe. Meqenëse kjo bimë e do tokën e lagësht, vazhdoni ta ujitni shpesh, por jo shumë, pa e lënë dheun të thahet. Kënaquni duke e rritur një avokado mahnitëse, që do t’i shtojë ngjyra shtëpisë tuaj.

A mund të merrni avokado nga kjo bimë?

avokado

Një bimë e avokados kërkon një periudhë serioze 5 deri në 13 vite për ta nxjerrë frutin, prandaj duhet të kujdeseni mjaftueshëm dhe t’ia ndryshoni tasin (vazon) nga koha në kohë sipas rritjes dhe shpejtësisë së zhvillimit, dhe në fund, mund të jetë edhe më mirë që ta mbillni në kopsht. /Pergatit.com