Përbërësit:
450gr miell, 60gr gjalpë, 150gr qumësht, 2 vezë +1 të verdhë veze, 25gr maja, 100gr sheqer
nutella, sheqer pluhur.
Përgatitja:
Përgatitjen e brumit mund ta bëni edhe me robotin elektrik, më pas fillimisht shkrijmë majanë në një gotë me pak qumësht të vakët. E trazojmë ngadalë që të shkrihet komplet dhe në një enë qelqi hedhim miellin, vezët, gjalpin e zbutur, majanë e shkrirë, qumështin, sheqerin dhe pjesën tjetër të qumështit pastaj fillojmë ti përziejmë të gjithë produktet.
Më pas vazhdojmë të bëjmë brumin mbi tavolinën e punës, derisa të arrijmë një masë elastike dhe të butë. Nëse e shikoni që masa është e qullët shtoni edhe pak miell ose anasjelltas, nëse e shikoni që është shumë e fortë shtoni edhe pak qumësht derisa të arrihet masa e duhur.
I japim një formë të rrumbullakët masës së brumit dhe e vendosim në enën e qelqit të pushoj përreth dy orë, më pas mbulojmë enën me një pecetë të lagur. Brumi duhet të dyfishohet dhe më pas marrim brumin dhe e hapim me holluese një pjesë dhe e bëjmë me trashësi rreth 5mm.
Me një gotë me diametër rreth 8 cm (ose me një rreth inoksi) presim disqe të rrumbullakëta nga brumi. Mbi rrathët e përfituar, me anën e një luge hedhim pak nutella në mes. Me një furçë lagim pak anët e diskut dhe sipër i mbulojmë me një disk tjetër duke e shtypur pak me dorë anash në mënyrë që të mbyllet komplet dhe mos të dalë nutella.
Ëmbëlsirat i vendosim në një tavë ku kemi shtruar letër furre, i lëmë ëmbëlsirat të pushojnë në furrë të fikur përreth një orë. Më pas përpara se ti pjekim i lyejmë me ngadalë me furçë me të verdhën e vezës të rrahur me pak qumësht.
I vendosim ëmbëlsirat ti pjekim në furrë të nxehtë 180 gradë C përreth 20 deri 30 minuta. Duhet të marrin pak ngjyrë sipër dhe pasi janë pjekur i lëmë të ftohen pak dhe krofnet me nutella janë gati. Përpara se ti shërbejmë i hedhim sheqer pluhur sipër.
Ju bëftë mirë!