Mos i blini këto perime, janë të injektuara me hormone

Përmes disa investigimeve të Top Story dhe Fiks Fare në Top Channel, u vendos edhe njëherë në vëmendje abuzimi me produktet ushimore, përfshirë këtu ushqimet e paketuara, frutat dhe perimet.

Top Story dokumentoi se pluhuri i tullave përdoret si ngjyrues, ndërsa ai i allçisë për të forcuar produkte si djathi.

“Analiza instrumentale ka bërë të njohur edhe përqindjen e elementëve që nuk kanë qenë të njohura paraprakisht nga ne. Nuk na ka shkuar mendja që janë përdorur produkte, që janë totalisht të papajtueshme me përbërësit ushqimorë. Pluhura materialesh inorganike, pluhura materialesh inerte. Si ngjyrues janë përdoruar po materiale të tilla, por s’po hyj në detaje”, theksoi Prof.Dr Ilirjan Malollari, ekspert ushqimi për lëndët kimike.

Sipas ekspertëve, ka fakte se nga materialet e riciklueshme që përdoren për paketim, migrojnë elementë kancerogjenë në ushqime. Këtu mund të përmendim mishin e grirë të paketuar, kërpudhat, gjalpin, qumështin, vajin e ullirit, ujin, lëngjet e ndryshme.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Fiks Fare raportoi raste të shumta në Berat, Kuçovë dhe jo vetëm, ku fermerët përdorin masivisht hormonet për të rritur prodhimin e frutave dhe perimeve. Tregtimi i ushqimeve me përmbajtje hormonesh duket se është i pakontrolluar, ndaj në vijim gjeni një listë me gjithë mënyrat si mund të dallojmë nëse perimet dhe frutat nuk janë organike.

Pamja: Nëse produktet janë të rritura në mënyrë organike dhe natyrale, nuk janë njësoj. Pra është e pamundur që të gjitha frutat dhe perimet të kenë të njëjtën ngjyrë dhe madhësi. Duhet të jeni të vëmendshëm gjithashtu për të dalluar nëse perimet janë si të deformuara, kanë gropëza, bishta ose pika të verdha.

Madhësia: Përgjithësisht, perimet nuk rriten në përmasa gjigante. Vite më parë, luleshtrydhet/patatet/karrotat etj. ishin në madhësi shumë herë më të vogla se produktet që shiten sot në treg.

Gatimi: Produket organike gatuhen më shpejt dhe qëndrojnë të freskëta më gjatë.

Shija: Sado të shëndetshme të duken, këto prodhime nuk kanë shijen e atyre natyrale.

Tregtimi: Nëse frutat dhe perimet shiten jashtë sezonit të tyre, atëherë me shumë mundësi janë të prodhura përmes përdorimit të hormoneve.