Nëse ndjeni vazhdimisht të ftohtë, mund të keni këtë problem shëndetësor

Të gjithë ne që mërdhijmë shumë, e njohim këtë situatë: kolegët në punë e lëshojnë kondicionerin e ajrit për të ftohur dhe ne fillojmë të dridhemi menjëherë, duke dashur që të ishim në shtëpi nën batanijen tonë të preferuar.

Njerëzit e ndjejnë të ftohtin dhe të nxehtin në mënyra të ndryshme, por disa prej nesh kemi të ftohtë gjatë gjithë kohës dhe nuk e dimë pse. Për të gjithë ju që keni mornica sa herë që të jetë pak më freskët, ne në pergatit.com kemi gjetur disa arsye pse mërdhini kaq shumë – dhe çfarë të bëni për këtë.

Gjëndra tiroide mund të mos funksionojë mirë

Hipotiroidizmi është një kusht gjatë të cilit gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormon dhe kjo pastaj mund të çojë në intolerancë të të ftohtit. Hormonet tiroide ndihmojnë në rregullimin e metabolizmit dhe temperaturës, dhe kur kemi mungesë të tyre, fillojmë të kemi të ftohtë.

Simptoma të tjera të hipotiroidizmit përfshin lodhje dhe rrahje të ulëta të zemrës. Si ta rregulloni këtë? Shkoni tek mjeku. Një ekzaminim mjekësor mund t’ju ndihmojë ta gjeni nëse keni sasinë e nevojshme të hormoneve tiroide në trup.

Ndoshta s’po pini mjaft ujë

Uji e rritë metabolizmin, duke e ndihmuar trupin të shkrijë ushqimin dhe të krijojë energji dhe nxehtësi. Nëse jeni të dehidratuar, mund t’ju mungojë kjo energji dhe nxehtësi e cila e ngroh trupin. Si ta rregulloni këtë? Pini më shumë ujë.

Mund të keni anemi

Anemia është një tjetër kusht shëndetësor që mund t’ju bëjë të keni këmbë dhe duar të ftohta. Anemia ndodh kur trupi ka mungesë të qelizave të kuqe të gjakut, të cilat e dërgojnë oksigjenin në organe. Pastaj ka edhe anemi për shkak të mungesës së hekurit që ndodh gjatë shtatzënisë, menstruacioneve ose humbjes së gjakut dhe konsumimit të ulët të hekurit. Simptoma të tjera të anemisë përfshin lëkurë të zbehtë, rrahje të shpejta të zemrës, lodhje dhe kokëdhimbje.

Si ta rregulloni këtë? Nëse dyshoni se keni anemi, duhet të shkoni tek mjeku dhe t’i bëni testet e nevojshme.

Mund të mos jeni duke fjetur mjaftueshëm

Gjumi i mirë është tepër i rëndësishëm për rregullimin e temperaturës në trup, kështu që, nëse vazhdoni të dridheni nga të ftohtit, arsyeja mund të jetë mjaft e thjeshtë. Si ta rregulloni këtë? Rregullojeni orarin e gjumit dhe sigurohuni që jeni duke bërë gjumë mjaftueshëm për t’i rimbushur bateritë tua.

Fenomeni i Raynaudit

Fenomeni i Raynaudit apo thjeshtë Raynaudi, vërehet lehtë: i bën gishtat të marrin ngjyrë të bardhë ose të kaltër. Ky është një çrregullim i rrallë që prekë arteriet, duke reduktuar qarkullimin e gjakut në gishta dhe duke i bërë ata të ftohtë. Kur reduktohet qarkullimi gjakut, gishtat bëhen të zbehtë ose të kaltër, dhe kur gjaku kthehet ata bëhen prapë të kuq dhe fillojnë të kenë dhimbje, transmeton pergatit.com.

Si ta rregulloni këtë? Shkoni tek mjeku. Raynaudi mund të shkaktohet nga temperaturat e ftohta, stresi, kontakti me disa kimikate dhe faktorë të tjerë. Trajtimi përfshin ilaçe, operacion apo ndryshime në mënyrën e jetesës për t’i eliminuar shkaqet.

Jeni shumë të dobët (të hollë)

Kur jeni nënpeshë, nuk keni mjaftueshëm yndyra trupore për t’u izoluar nga të ftohtit. Nëse jeni duke humbur peshë me qëllim ose thjeshtë nuk po hani shumë vetë, kjo mund ta ‘thyejë’ metabolizmin tuaj dhe të ndikojë në rregullimin e temperaturës në trup.

Si ta rregulloni këtë? Hani shëndetshëm dhe një dietë të balancuar që i përshtatet moshës tuaj.

Mund të keni qarkullim të dobët të gjakut

Sëmundja e arteries periferike mund t’i bëjë arteriet të dështojnë të dërgojnë gjak në organe dhe inde, duke na bërë të ndjejmë të ftohtë. Kur grumbullohen pllaka në arterie (arterioskleroza), arteriet bëhen më të ngushta, duke ndikuar në rrjedhjen e gjakut në duar dhe këmbë, duke shkaktuar ftohje dhe mpirje.

Si ta rregulloni këtë? Shkoni tek mjeku. Trajtimi për sëmundjen e arteries periferike përfshin ndryshime në mënyrën e jetesës (si lërja e duhanit, për shembull) dhe trajtimi mjekësor, duke përfshirë edhe operacion në disa raste.

Siç mund ta shihni, i ftohti që e ndjeni gjatë gjithë kohës është duke ardhur si pasojë e disa kushteve shëndetësore dhe të shkoni tek mjeku është alternativa më e mirë. Ndërsa po pritni të shkoni tek mjeku, këtu janë disa këshilla se si ta ngrohni trupin tuaj:

  • Mundohuni të mbani nxehtësinë e trupit duke veshur rroba më të trasha. Vishni të brendshme prej leshi dhe polipropileni i fabrikuar.
  • Pini më shumë pije të ngrohta si çaj dhe çokollatë të nxehtë.
  • Mos rrini shumë jashtë në mot të ftohtë derisa ta gjeni arsyen e gjendjes tuaj shëndetësore.