Patëllxhanë turshi

Përbërësit: patëllxhanë, majdanoz, uthull, vaj ulliri, kripë, piper të zi kokërr, hudhër.

Përgatitja: Fillimisht marrim patëllxhanët (të vegjël, të hollë), i pastrojmë mirë dhe më pas vëmë një tenxhere me ujë dhe kripë në zjarrë që të vlojë. Më pas në ujin që vlon hedhim patëllxhanët, i lëmë ashtu sa të marrin një valë dhe derisa të ndryshojnë ngjyrën.

Më pas patëllxhanët i nxjerrim nga uji, marrim një kavanoz dhe e mbushim me patëllxhanë. Fillimisht në kavanoz shtojmë dy thelpinj hudhër të grimcuar, më pas grijmë ca fleta majdanozi dhe i hedhim po ashtu në kavanoz. Më pas fusim patëllxhanët që i kemi zier më parë në ujë me kripë në kavanoz.

Patëllxhanët i rreshtojmë në kavanoz mirë, sipër tyre hedhim piper të zi kokërr, kripë, më pas grijmë edhe një thelpinj hudhër dhe ca fleta majdanozi dhe ua hedhim patëllxhanëve sipër. Më pas patëllxhanëve u hedhim sipër uthull, derisa të mbulohen mirë.

Shtojmë dhe pak vaj ulliri sipër patëllxhanëve dhe e mbyllim kavanozin mirë me kapak. Patëllxhanët i ruajmë në një vend të freskët dhe i konsumojmë në dimër. Ju bëfshin mirë!