Pse disa njerëzve iu duken më shumë venat nëpër lëkurë?

Venat tona përfaqësojnë një sistem të mençur, përmes të cilit valvulet kryejnë funksionin e rëndësishëm të dërgimit të gjakut nga trupi në zemër. Normalisht, ne nuk mendojmë shumë për venat derisa të vërejmë se ato janë shfaqur në lëkurën tonë.

Nëse venat tuaja bëhen të dukshme dhe nuk po e dini pse ka ndodhur kjo, mos u brengosni. Venat e dukshme nganjëherë mund të na tregojnë për probleme të ndryshme shëndetësore, por në shumë raste, ato kanë arsye natyrale pse dalin dhe nuk janë të rrezikshme për shëndetin. Ne në pergatit.com i kemi studiuar situatat pse venat bëhen më të dukshme dhe kjo është ajo çfarë kemi mësuar.

Venat e dukshme mund të jenë normale për llojin tuaj të lëkurës

Specialistët e venave thonë se njerëzit me lëkurë të çelët kanë më shumë gjasa të kenë vena të dukshme sesa ata me tone më të errëta të lëkurës. Lëkura e hollë mund të jetë gjithashtu arsye. Duke u plakur, shtresa e dhjamit nën lëkurë bëhet më e hollë. Kjo është arsyeja pse njerëzit e moshuar kanë vena të dukshme në duart e tyre, këmbët dhe pjesët e tjera të trupit.

Venat mund të bëhen të dukshme pas stërvitjeve

Dalja e venave gjatë stërvitjeve është normale. Kur stërviteni, muskujt punojnë, fryhen dhe i shtyjnë venat drejt sipërfaqes së lëkurës duke i bërë më të dukshme. Pas stërvitjeve, muskujt tërhiqen dhe venat bëhen më pak të dukshme.

Grave mund t’iu dalin venat gjatë shtatzënisë

Venat e dukshme janë një problem që shumë gra shtatzëna e kanë dhe nuk keni arsye pse të brengoseni për këtë. Vëllimi i gjakut të një gruaje shtatzënë është më i lartë sesa i një gruaje joshtatzënë, dhe kësisoj venat thjeshtë provojnë të përshtaten me sasinë e madhe të gjakut. Rrjeti i venave punon gjatë gjithë kohës për të transportuar vëllimin e rritur të gjakut përreth trupit të gruas shtatzënë për të ushqyer fetusin. Nëse përjetoni vena të dukshme gjatë shtatzënisë, por nuk i keni pasur kurrë më parë, atëherë me gjasë ato do të zhduken pas lindjes, transmeton pergatit.com.

Ka raste kur venat e dukshme janë arsye për t’u kontrolluar tek mjeku

Siç ju treguam më lartë, në shumicën e rasteve venat e dukshme janë normale dhe të shëndetshme dhe nuk ka nevojë të brengoseni. Megjithatë, nëse venat e dukshme shoqërohen me simptoma të tjera si dhimbje gjoksi, shkurtim frymëmarrjeje, ulcera afër venave ose vena të ënjtura, duhet të shkoni tek mjeku.

Këto simptoma mund të shkaktohen nga probleme shëndetësore si venat me varice, tromboflebiti dhe sëmundje të tjera të venave, dhe këto simptoma nuk duhet të injorohen pastaj. A keni pasur ndonjëherë vena të dukshme? A ju kanë brengosur? Na tregoni në komente!