Qofte me mish pule

Përbërësit për 20 qofte:

500gr mish pule i pjekur ose i zierë, 2 patate të ziera të shtypura, 2 vezë, 4 lugë djathë kaçkavall të grirë, galete, majdanoz të freskët të grirë hollë, kripë, miell, vaj farash për skuqje.

Përgatitja:

Fillimisht presim mishin e pules shumë hollë me ndihmën e një thike të mprehtë (ose e kalojmë në mikser) dhe e hedhim në një enë. Shtojmë patatet e shtypura, vezët, djathin kaçkavall, majdanozin e freskët dhe pak kripë duke i përzierë shumë mirë.

Nëse brumi rezulton shumë i butë, shtojmë edhe 1-2 lugë galete dhe u japim qofteve formën e dëshiruar më pas i kalojmë në miell dhe i skuqim në vaj të nxehtë derisa të marrin ngjyrë të artë të gjitha anët.

Për një variant më të shëndetshëm, qoftet mund ti pjekim edhe në furrë të parangrohur në 180 gradë C për 20 deri 30 minuta. Ju bëfshin mirë!