Receta e petullave topolake, të mira dhe të shpejta

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen por edhe miqtë e të afërmit. Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat. Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta me pak mjaltë shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht. Ne ju sjellim më poshtë një recetë fantastike të përgatitjes së petullave topolake krejt lehtë në shtëpi.

Përbërësit: 2 lugë kafeje me maja buke, 1 filxhan çaji me ujë të ngrohtë, gjysmë filxhan çaji me qumësht të ngrohtë, 1 lugë gjellë sheqer, 1 lugë çaji kripë, 1 lugë gjelle gjalpë ose vaj ulliri, 3 kokrra vezë, 4 filxhanë çaji me miell, gjysmë filxhan çaji me mjaltë, vaj për skuqje, kanellë.

Përgatitja: Hidhni majanë në një tas ku më parë keni hedhur ujin e vakët. Uji nuk duhet të jetë më i nxehtë se 40 gradë. Lëreni për 5 minuta derisa maja të shkrihet tërësisht në ujin e ngrohtë derisa uji të nisë të trashet në një masë pak të shkumëzuar. Në një tas të madh, shtoni qumështin e ngrohtë, sheqerin, kripën dhe përzieni të gjitha bashkë. Shtoni majanë dhe përzieni derisa masa të bëhet homogjene. Rrihni vezët, bashkë me gjalpin, shtoni miellin dhe trazojini mirë derisa të krijohet një brumë i butë. Mbulojeni tasin ku keni brumin me një pecetë të pastër kuzhine dhe lëreni të pushojë për 30 minuta.

Pas gjysmë ore përzjejeni sërish brumin dhe mbulojeni sërish me pecetë duke e lënë të pushojë edhe për 30 minuta të tjerë. Në një tigan përzieni mjaltin me një gjysmë filxhani çaji me ujë, lëreni të zjejë për pak minuta. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni shurupin e mjaltit që të ftohet. Në një tigan ngrohni vajin në zjarr. Mbani afër sobës një tas me ujë dhe një lugë. Do t’iu duhet për të krijuar formën e rrumbullakët të petullave. Merrni dy lugë gjelle të njomura me ujë nga brumi dhe vendosni në pëllëmbën e thatë të dorës. Rrotulloni brumin përmes lugës derisa të përftohet forma e rrumbullakët.

Ky proces duhet të bëhet shumë shpejt në të kundërt brumi do ngjitet në duar. Më pas hidhini petullat e rrumbullakëta në vajin e nxehtë dhe skuqini. Lerini të skuqen për dy apo tre minuta duke i kthyer nga të dyja anët. Kur t’i hiqni petullat  nga tigani vendosini në një pjatë me letër kuzhine në mënyrë që letra të përthithë yndyrën. Vendosini petullat në një tas dhe spërkatini me shurupin e mjaltit të përgatitur më parë si dhe me pak pluhur kanelle dhe shërbeni të ngrohta. Ju bëfshin mirë!