Këtë herë kemi vendosur t’jua tregojmë një recetë shumë të mirë, ashtu siç e ka edhe emrin. Kjo tortë është shumë e lehtë dhe shumë, shumë e shijshme. Gjithashtu, kjo tortë është më ndryshe nga recetat e tjera që i kemi publikuar deri më tani.
Jemi të sigurt që kjo tortë e nuseve, ashtu siç ia kanë lënë emrin kuzhinierët turq, do të jetë ëmbëlsira më e mirë për t’u ngrënë gjatë kohës së çajit. Kjo tortë e bukur përbërës kryesor e ka qumështin dhe pudingun sipër saj, shkruan pergatit.com.
Pasi ta provoni, do të thoni se kjo është torta që e keni kërkuar që disa vjet – dhe më e rëndësishmja, nuk do të mjaftoheni kurrë me një copë. Tani, është koha të shkoni në kuzhinë, pasi nuk ju duhen përbërës ekstra, sepse e dimë që i keni në kuzhinën tuaj. Përvilni mëngët dhe përgatiteni këtë tortë të shijshme të nuseve!
Përbërësit për Tortën e Nuseve:
- 4 vezë
- 1 filxhan sheqer pluhur
- 1 filxhan miell
- 1 pako pluhur për pjekje
- 1 pako pluhur vanilje
Për ulje të tortës:
- 1.5 filxhan qumësht të ftohtë
Për kremin (pudingun):
- 1 litër qumësht
- 1 filxhan sheqer pluhur
- 3 lugë gjelle miell
- 2.5 lugë gjelle nisheste
- 1 pako krem i bardhë për ëmbëlsira (shllak ose hopla)
Për sipër:
- 3-4 lugë gjelle kokos
- 50gr lajthia
Sekreti i Tortës së Nuseve
Për pjekje më të mirë të tortës, mos harroni t’i rrihni vezët dhe sheqerin mirë derisa të bëhen të shkumëzuar dhe mos i lyeni me vaj skajet e kallëpit të tortës. Nëse i lyeni skajet e tepsisë së tortës, gjatë pjekjes torta mund të fryhet në mes. Kur nuk i lyeni skajet, torta gjatë pjekjes fryhet e gjitha dhe do të keni një formë më të njëjtë. Për dekorim sipër, mund të përdorni edhe arra në vend të lajthive.
Si ta përgatitni Tortën e Nuseve?
Për ta përgatitur tortën; Thyeni vezët në një enë të thellë dhe shtoni sheqerin sipër. Rrihni me mikser për rreth 4-5 minuta, derisa brumi të bëhet mirë. Më pas shtoni në përzierje miellin, pluhurin për pjekje dhe pluhurin e vaniljes dhe rrihni me mikser edhe për tre minuta të tjerë, shkruan pergatit.com.
Brumin e tortës vendoseni në një tepsi katrore, të qëndrueshme ndaj nxehtësisë, të cilës ia lyeni fundin me gjalpë ose vaj, por jo skajet. Ngroheni furrën paraprakisht në 170 gradë dhe piqeni tortën për 30 minuta. Mos harroni ta kontrolloni herë pas here gjatë pjekjes. Pasi torta të jetë pjekur, hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet komplet. Pasi torta të jetë ftohur e gjitha, hidhjani qumështin sipër dhe lëreni në formë të pjerrët për 20 minuta që ta thithë qumështin e gjitha.
Për kremin; Vendosni qumështin, sheqerin, miellin dhe nishesten në një enë të thellë (tenxhere) dhe rrihni ngadalë me një tel për rrahje. Ndizeni pllakën e shporetit dhe gatuajeni kremin derisa të vlojë, duke e përzier vazhdimisht. Kur fillon të vlojë dhe të trashet si bozë, mbulojeni me kapak. Pasi kremi të fillojë të ftohet, shtoni kremin e bardhë për ëmbëlsira dhe rriheni me mikser për 3-4 minuta.
Shpërndajeni kremin ngadalë në tortë, mbulojeni më pas me letër kuzhine dhe lëreni në frigorifer për një natë. Të nesërmen, mbulojeni me kokos. Priteni dhe dekorojeni me lajthi ose arra sipër. Ju bëftë mirë!