Kjo është receta e lehtë dhe e shijshme e rolladës së famshme të Zvicrës. Ëmbëlsirë që përgatitet lehtë dhe e cila ka një recetë mjaft të thjeshtë, të cilën mund ta përgatisin të gjithë.
Përbërësit:
- 5 vezë
- 1g kripë
- 50g sheqer
- 90g miell për ëmbëlsira
- 2g pluhur për pjekje
- 50g vaj
- 50g qumësht
- Merengë (5 të bardha të vezës dhe 70g sheqer)
Përgatitja:
Në një enë hedhim të verdhat e vezës, ua shtojmë kripën dhe i përziejmë pak me lugë të mikserit pa e ndezur dhe më pas ua shtojmë sheqerin. I përziejmë me mikser ngadalë derisa përbërja të bëhet e shkumëzuar, duke e rritur shpejtësinë e mikserit nga më ngadalë tek më shpejtë.
Përzieni mirë dhe kontrollojeni me kujdes, nëse brumi duket si në videon që do ta shihni më poshtë, atëherë është në rregull. Në një enë tjetër, hedhim të bardhat e vezës, i përziejmë me mikser derisa masa të bëhet e shkumëzuar. Sheqerin mos ia hidhni krejt përnjëherë, por hidheni tre herë nga pak (70g) dhe përzieni mirë me mikser derisa të bëhet krem. Kontrollojeni mirë, nëse është bërë si në video, atëherë jeni në rregull.
Përbërjen me të verdha të vezës hidheni në përbërjen me të bardhat e vezës dhe përzieni mirë me lugë derisa masa të ketë marrë një ngjyrë. Më pas shtoni miellin dhe pluhurin për pjekje dhe përzieni mirë me lugë derisa mos ta shihni më pluhurin.
Në një enë tjetër, përzieni qumështin me vajin, bashkë me pak nga brumi i rolladës. Këtë kombinojeni me pjesën e mbetur të brumit të rolladës. Përzieni mirë. Në një tepsi katrore (39cmx29cm) shtroni letër të kuzhinës dhe derdheni brumin e rolladës duke e rrafshuar mirë.
Brumin e piqni për 30 minuta në një furrë të ngrohur paraprakisht në 170 gradë C. Pasi të jetë pjekur, rolladën hiqeni nga tepsia komplet me letër të kuzhinës dhe filloni ngadalë t’ia hiqni letrën duke e vendosur në një letër tjetër kuzhine. Pasi ta keni hequr, qoshet e brumit prisni me thikë për ta bërë formën e përsosur katrore.
Në mënyrë që ta fitoni më lehtë formën e rolladës, prisni njërën anë të brumit në mënyrë diagonale sikur që do ta shihni në videon më poshtë. Kurse në anën tjetër, bëni tri prerje jo të thella në mënyrë të barabartë. Rolladën lyjeni me çfarë të doni, xhem apo mjaltë, dhe filloni ta rrokullisni (ashtu me letrën e kuzhinës) për ta nxjerrë formën e rolladës. Pasi ta keni përgatitur, para se ta prisni për ta ngrënë, mbajeni në frigorifer bashkë me letrën e kuzhinës për një orë. Ju bëftë mirë!
Ndërsa më posht mund ta shikoni videon origjinale të recetës së rolladës zvicerane: