Role me kokos

Përbërësit:

100gr kokos, 350gr biskota të grira, 50gr çokollatë për gatim, 2dcl kafe e zierë, 120gr gjalpë
300gr sheqer pluhur, një pako sheqer vanilje, 100ml qumësht.

Përgatitja:

Në tenxhere në zjarr e hedhim qumështin dhe gjalpin, pasi të shkrihet gjalpi në tenxhere shtojmë sheqer vanilje dhe kokos. Pasi masa bëhet e dendur, tenxheren e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet. Në tenxheren tjetër në zjarrë hedhim pak ujë, sipër saj vëmë një enë tjetër dhe në të vëmë çokollatën të shkrihet mbi avull.

Në një enë të madhe e të thellë i hedhim biskotat e grira, sheqerin pluhur dhe kafenë. Masën e ngjeshim me dorë, ndërsa çokollatën e shkrirë e shtojmë në enë. Përziejmë me lugën e drurit që të bashkohet masa dhe e lëmë të ftohet.

Pasi ftohet masën e nxjerrim nga ena dhe e vëmë mbi një fletë plastmasi. E rrafshojmë me dorë, e mbulojmë me tjetër fletë plastmasi dhe e përhapim me petës me trashësi deri në 1cm. Fletën e plastmasit e vëmë sipër që masa të mos ngjitet për petën.

Pasi e përhapim masën e largojmë fletën e plastmasit, pastaj masën e ftohur nga tenxherja e parë e derdhim mbi masën e hapur dhe e rrafshojmë. Me ndihmën e fletës së poshtme të plastmasit e mbështjellim rolen. Rolen e vëmë në frigorifer për t’u shtrënguar, dhe me thikë
i presim copat me trashësi rreth 1cm. Copët e prera i renditim në pjatën për servirje, sipas dëshirës mund ti hedhim miell kokosi sipër.

Ju bëftë mirë !