Tortë e shijshme me arra

Përbërësit:

230gr arra të bluara, 6 vezë, 120gr sheqer, 110gr miell, 2 lugë rum (opsionale).

Përbërësit për kremin:

350ml qumësht, 2-3 lugë lëng limoni, një lugë lëvore limoni në rende, 150gr arra të bluara,
2 sheqer vanilje, 2 lugë rum (opsionale), 300gr margarinë, 120gr sheqer, 60gr miell,
½ lugë arra muskati e bluar.

Përgatitja:

Ndajmë të bardhat nga të verdhat e vezës. Të bardhat tunden me gjysmën e sheqerit derisa të bëhet një shkumë e fortë. Të verdhat gjithashtu tunden veçmas me gjysmën tjetër të sheqerit dhe shtohet rumi. Tek të verdhat e vezës shtojmë ngadalë miellin dhe duke e përzierë vazhdimisht shtojmë dhe arrat e bluara dhe shkumën nga të bardhat e vezës.

Përziejmë mirë dhe masën e qesim në kallëp të lyer dhe të mbuluar me letër për pjekje me madhësi 24 cm. Pjekim për 35 minuta në 180 gradë, dhe pasi të piqet pandispanja nxehtësinë e ndalim kurse pandispanjen e lëmë në furrë të ftohet.

Për kremin përziejme miellin, sheqerin dhe sheqer vaniljen me 150ml qumësht të ftohtë dhe përziejmë mirë. Masën tjetër të qumështit e vëmë të vlojë dhe në të shtojmë miellin e tretur dhe pasi vlon qumështi shtojmë tretësirën me miellin dhe përziejmë derisa të trashet kremi.

Në kremin e ftohur shtojmë margarinën e tundur më parë dhe përziejmë mirë derisa të kompaktësohet mirë masa. Tek kremi shtojmë edhe lëngun dhe lëvoren e limonit, rumin ose kanellë dhe arrën e muskatit (Këto janë erëza që i përdorim sipas dëshirës, nese nuk i kemi mundet edhe pa to).

Pandispanjën e pjekur dhe të ftohur e ndajmë horizontalisht në tri shtresa. Secilën shtresë e lyejmë me kremin e vakët që të trija shtresat dhe në fund e lyejmë nga jashtë dhe e dekorojmë sipas dëshirës.

Ju bëftë mirë !