Rrathë çokollate me kokos

Përbërësit për pandispanjën:

6 vezë, 6 lugë sheqer, 6 lugë miell, 3 lugë kakao, një pluhur për pjekurina.

Përbërësit për fillin:

1L qumësht, 12 lugë nisheste, 300gr sheqer pluhur, 250gr margarinë, 2 sheqer vanilje,
kokos dhe çokollatë.

Përgatitja:

Rrahim të bardhat e vezëve me sheqer, pastaj i shtojmë të verdhat e vezëve dhe i rrahim edhe pak me mikser. Pastaj shtojmë miellin e përzier me pluhur për pjekurina dhe kakao, përziejmë me lugë dhe e qesim në tepsi të shtruar me letër të yndyrshme.

Tepsia duhet të jetë pak më e madhe që pandispanja të del sa më e hollë. Pjekim në temperature 180 gradë C rreth 15-20 minuta. Derisa të piqet pandispanja përgatisim fillin, vlojmë qumështin dhe në të shtojmë nishesten e përzierë me pak qumësht dhe sheqer vanilje.

Përziejmë vazhdimisht derisa të trashet që mos të mbetet kokrra. Kur të ftohet i shtojmë margarinën dhe sheqerin të cilët i kemi rrahur me mikser, nga pandispanja nxjerrim me gotë rrathë të cilët i lyejmë me fill dhe i bashkojmë nga 2 copa bashkë. I lyejmë edhe anash me fill dhe i rrotullojmë në kokos, përmbi iu qesim çokollatë të shkrirë. Bëhen shumë të shijshem dhe përgatiten shpejtë dhe mund ti përgatitni për raste speciale, duhet ti provoni. Ju bëfshin mirë !